Superylli botëror i muzikës, Rihanna është duke shijuar pushimet me familjen. Ata gjenden në vendin e origjinës së saj, Barbados. Përgjatë pushimeve ajo ka ndarë një “snap” të partnerit të saj, Asap Rocky, duke e mbajtur lartë në duar djalin e tyre Rza. Ajo ka bërë një përshkrim në këtë postim ku thuhet “Djemt e mi bajanë (nga Barbadosi)”.
Këngëtarja 35 vjeçare e hitit “Umbrella” pritet të sjellë në jetë këto ditë fëmijën e saj të dytë. Ajo gjatë javës së kaluar ka shpërndarë fotografi të tjera ku shihej duke ngrënë akullore dhe duke shfaqur barkun.
Asap e Rihanna kanë nxitur thashetheme rreth martesës gjatë festivalit në Kanë pasi që Asapi iu drejtua me termin “gruaja ime” gjatë një koncerti. Por çifti nuk ka konfirmuar nëse ka bërë ndonjë dasmë sekrete.
Më herët çifti ka postuar një video e disa fotografi ku shihet Asapi duke tymosur afër Rihannas shtatzënë. Kjo pati nxitur reagime të shumta të fansave. Adhuruesit e “bombarduan” Asapin duke i thënë se nuk duhet të tymosë në ambient të mbyllur e afër gruas shtatzënë.
Kurse Rihanna vitin e kaluar i pati thënë revistës “Vogue” se ajo ka hequr dorë prej marihuanës deri sa ishte shtatzënë.