Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ribashkimi special i yjeve të serisë “Friends” është shtyrë shkaku i koronavirusit

Foto: Reuters

Xhirimet e serisë nga kanali “HBO Max” dhe ku planifikohej të luanin yjet e serisë “Friends”, Courteney Cox, David Schwimmer, Jennifer Aniston, Lisa Kudroë, Matthew Perry dhe Matt LeBlanc, duhej të fillonin muajin e ardhshëm.

Por disa burime të afërta e kanë konfirmuar për revistën “Variety”, se projekti special ribashkues është shtyrë dhe se xhirimet e tij besohet se do të fillojnë në fund të muajit maj. Sigurisht nëse situata me pandeminë e koronavirusit do të përmirësohet, transmeton Koha.

Lajmi për shtyrjen e këtyre xhirimeve vjen pak kohë pasi shumë projekte të tjera televizive dhe filmike, e kanë pezulluar punën për shkak të koronavirusit, si pasojë e së cilit kanë humbur jetën afërsisht 9.000 njerëz anembanë botës.

Muajin e kaluar, Cox, Schwimmer, Aniston, Kudrow, Perry dhe LeBlanc, që të gjithë përmes rrjeteve sociale i informuan fansat e tyre se ribashkimi i shumëpritur, 16 vjet pas transmetimit të episodit të fundit të serisë, më në fund po ndodhte.

“Friends” që është një prej serive më të suksesshme televizive, u transmetua nga viti 1994 deri më 2004 si dhe i përfshinte mbi 200 episode. Ajo i shtjellonte historitë e gjashtë miqve nga New Yorku, Ross dhe Monica Geller të cilët ishin vëlla e motër, Chandler Bing dhe Joey Tribbiani, të cilët jetonin bashkë në një apartament dhe Rachel Green e Phoebe Buffay.