Aktorja e famshme hollywoodiane, Reese Witherspoon, e ka shitur kompaninë e saj për më shumë se 900 milionë dollarë.
Ylli i filmave “Legally Blonde”, e themeloi kompaninë filmike “Hello Sunshine” në vitin 2016, me qëllim të krijimit të më shumë dramave të fokusuara në personazhe gra, të tilla si seriali “Big Little Lies”. Por tani aktorja ka vendosur t’ia shes biznesin e saj kompanisë mediale, “Blackstone Group Inc”, e cila udhëhiqet nga ish-shefat e “Disney”, Kevin Mayer dhe Tom Staggs.
Në një deklaratë për media, Whitherspoon tha: “E kam themeluar këtë kompani për ta ndryshuar mënyrën si gratë shihen në media. Ne e kemi parë misionin tonë duke lulëzuar përmes librave, serialeve, filmave dhe platformave sociale. Sot, po e marrim një hap të madh para duke u bërë partner me kompaninë gjigante ‘Blackstone’, e cila do të na mundësojë të rrëfejmë edhe më shumë tregime argëtuese, me ndikim dhe inspiruese për jetët e grave”.
Aktorja 45-vjeçare do të vazhdojë të shërbejë si kryeshefe ekzekutive e produksionit “Hello Sunshine”, bashkë me Sarah Hardenin dhe që të dyja do të vazhdojnë të jenë aksionare të barabarta.
Çmimi i lartë i shitjes së “Hello Sunshine” padyshim që do të shkaktojë paksa trazira në industrinë e showbizit, pasi ajo filloi të arkëtojë të holla tek në vitin 2020, por burime të shumta kanë thënë për revistën “Variety” se investitorët kanë dashur ta kapin mundësinë e blerjes së kompanisë, sepse shumë shpejtë pritet t’i publikojë disa projekte dhe iniciativa të reja, që po konsiderohen mjaft premtuese.