Në produksionin e ri të shfaqjes së famshme teatrale “Evita” në Londër, një nga momentet më të mëdha nuk ka ndodhur në skenë, pasi aktorja e njohur Rachel Zegler, në kuadër të këtij mjuzikëlli, ka dalë në ballkon të teatrit për ta interpretuar një serenatë.

Në mes të shfaqjes, aktorja Zegler, e cila interpreton rolin e Eva (Evita) Perón, gruas së parë të Argjentinës, del në një ballkon të jashtëm të teatrit London Palladium dhe këndon këngën ikonike “Don’t Cry for Me, Argentina” drejtpërdrejt për kalimtarët në rrugë. Performanca transmetohet në sallën e teatrit me anë të videos, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Prej fillimit të provave të shfaqjes gjatë kësaj jave, lajmi është përhapur me shpejtësi dhe qindra njerëz janë mbledhur çdo natë jashtë teatrit për të dëgjuar falas serenatën e yllit të filmit “Snow White”.
Kompozitori i shfaqjes, Andrew Lloyd Webber, ka thënë për Associated Press se ky moment është shumë i veçantë.
“Brenda në teatër është shumë emocionuese sepse papritur e sheh Rachel Zeglerin me një turmë të vërtetë që ndodhet para saj, gjë që nuk mund ta krijosh dot në skenën teatrore”.

Ai ka shtuar se mund të ketë njerëz që do të ndihen të zhgënjyer sepse ajo nuk e këndon këtë këngë drejtpërdrejt në skenë.
“Por besoj se kjo do të kompensohet me efektin teatror që krijon përdorimi i incizimit të këtij momentit në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
Megjithatë, vendimi i regjisorit Jamie Lloyd ka ngjallur ankesa nga disa prej spektatorëve që kanë paguar deri në 245 funte britanike për një biletë, për të parë nga afër pikërisht këtë moment historik të mjuzikëllit.
Jamie Lloyd nuk është hera e parë që eksperimenton me formate të tilla. Në të kaluarën, në shfaqjen teatrale “Sunset Boulevard”, ai kishte vendosur një nga personazhet të këndonte duke ecur në rrugë jashtë teatrit. Ndërsa në shfaqjen e “Romeo dhe Zhulieta”, aktori Tom Holland kishte luajtur një nga skenat kryesore në çatinë e teatrit.

“E kuptoj pse disa spektatorë që kanë paguar biletat e shtrenjta mund të ndihen paksa të pakënaqur. Për shumë prej tyre, shkuarja në teatër është një mundësi që ndodh vetëm një herë në vit”, ka thënë për BBC, Carl Woodward, një bloger i njohur për teatrot.

Por Lloyd Webber solli në vëmendje një opinion të botuar në “The Times of London”, ku theksohej se ky gjest i afron njerëzit me vetë thelbin e personazhit Evita Perón.
“Në njëfarë mënyre, kjo është pikërisht ajo që Evita Perón do të kishte dashur, që njerëzit ta përjetonin himnin e saj falas”, ka thënë ai.