Showbiz

Pushon padia ndaj aktorit Alec Baldwin, vitin e ardhshëm rinisin xhirimet për filmin “Rust”

Familja e Halyna Hutchins, kinematografes e cila u vra gjatë xhirimeve të filmit “Rust” në vitin 2021, dhe producenti i filmit, Alec Baldwin, kanë arritur marrëveshje lidhur me padinë për vrasje, e ngritur kundër aktorit dhe të tjerëve, sipas një deklarate të lëshuar nga avokati i aktorit.

Padia, e ngritur në shkurt në Santa Fe, kundër Baldwinit, kompanive të prodhimit të filmit, prodhuesve të tij dhe anëtarëve të tjerë kryesorë të ekuipazhit, pretendonte shkelje të shumta të standardeve të industrisë, raportoi CNN-i të mërkurën.

Sipas marrëveshjes, Matthew Hutchins, bashkëshorti i Halyna Hutchins, e cila u vra në xhirime, do të jetë producent ekzekutiv në film dhe do të marrë një pjesë të fitimeve, thuhet në deklaratë.

“Ne kemi arritur një marrëveshje, subjekt i miratimit të gjykatës, për rastin tonë të vdekjes së gabuar kundër producentëve të Rust, duke përfshirë Alec Baldwin dhe Rust Movie Productions, LLC. Si pjesë e kësaj zgjidhjeje, çështja jonë do të pushohet. Xhirimet e Rust, do të rifillojnë me të gjithë aktorët kryesorë origjinalë, në janar të vitit 2023. Nuk kam asnjë interes të përfshihem në akuza ose atribuime të fajit (prodhuesve ose z. Baldwin). Të gjithë ne besojmë se vdekja e Halynas ishte një aksident i tmerrshëm. Jam mirënjohës që producentët dhe komuniteti i argëtimit janë bashkuar për të nderuar punën e fundit të Halynas”, ka thënë Hutchins në një deklaratë.

Avokati i Alec Baldwinit, ka thënë se është mirënjohës për të gjithë ata që kontribuuan në zgjidhjen e kësaj situate të vështirë.

“Gjatë gjithë këtij procesi të vështirë, të gjithë kanë ruajtur dëshirën specifike për të bërë atë që është më e mira për djalin e Halynas. Ne jemi mirënjohës për të gjithë ata që kontribuuan në zgjidhjen e kësaj situate tragjike dhe të dhimbshme”, tha në një deklaratë avokati i Alec Baldwin, Luke Nikas.

Regjisori i filmit Joel Souza, i cili gjithashtu mbeti i plagosur nga të shtënat gjatë xhirimeve, pritet t'i rikthehet filmit.

“Ata prej nesh që patën fatin të kalonim kohë me Halyna-n e dinin se ajo ishte jashtëzakonisht e talentuar, e sjellshme, krijuese dhe një burim energjie të jashtëzakonshme pozitive. Do të doja vetëm që bota ta kishte njohur atë në rrethana të ndryshme, siç do ta kishte bërë me siguri përmes punës së saj të mahnitshme. Në përpjekjet e mia për t'u shëruar, çdo vendim për t'u kthyer për të përfunduar regjinë e filmit mund të kishte kuptim për mua vetëm nëse do të bëhej me përfshirjen e Matt dhe familjes Hutchins. Edhe pse sigurisht e hidhur, jam i kënaqur që së bashku, tani do të përfundojmë atë që unë dhe Halyna filluam. Çdo përpjekje ime në këtë film do t'i kushtohet nderimit të trashëgimisë së Halynas dhe bërjes së saj krenare”, ka thënë Souza në deklaratë.