Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Publikohen pamjet e para të serialit “She-Hulk: Attorney at Law”

Platforma Disney+ ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm me serialet e bazuara në universin kinematik “Marvel”. Prej lansimit të serialit “WandaVision” në fillim të vitit 2020, projektet vijuese si, “Captain America”, “Loki” dhe “Hawkeye”, i kanë mbajtur fansat të zënë teksa prisnin lansimet e filmave të mëdhenj të bazuar në librat komik me superheronj.

Seriali “Moon Knight” sapo e përfundoi sezonin e parë dhe publiku është në pritje të lansimit të projektit “Ms. Marvel” në qershor të këtij viti. Një tjetër serial i cili vjen sivjet për adhuruesit e këtij zhanri është, “She-Hulk: Attorney at Law”, raporton portali “Collider”.

Në projektin e ri të mbushur me humor, personazhi i famshëm për publikun, Bruce Banner, e ndihmon kushërirën e tij Jennifer Walters kur ka nevojë për transfuzion urgjent të gjakut. Dhe e dini se çfarë ndodhë pastaj? Ajo bëhet me superfuqi të njëjta sikur superheroi Hulk.

Aktorja Tatiana Maslany e luanë rolin e Jenniferit, e cila është një avokate e specializuar në rastet juridike me orientim mbinjerëzor. Ylli i hollywoodit, Mark Ruffalo, rikthehet në rolin e Hulkut, kurse Tim Roth e portretizon armikun e tij, Abomination.

Seriali i ardhshëm vjen i realizuar me regji të Kat Coiros dhe Anu Valias, dhe skenar të shkruar nga Jessica Gao. Pjesë e kastës së aktoreve janë edhe: Jameela Jamil e cila e luan rolin e personazhit të lig Titania, Renée Elise Goldsberry, Josh Segarra dhe Ginger Gonzaga.

“She-Hulk: Attorney at Law” fillon transmetimin në platformën Disney+ më 17 gusht.