Disa prej anëtarëve të njërit prej labelave më aktivë në skenën e hip-hopit shqiptar janë gati për t’u servuar fansave të tyre projekte muzikore të cilat i kanë finalizuar para pak ditësh.
Dy reperët e “BabaStars”, Cozman dhe Majk, në fillim të muajit maj pritet t’i publikojnë këngët e tyre.
“Yamborghini”, tashmë është bërë e ditur se do ta mbajë titullin kënga solo e Cozmanit, ndërsa Majku nëpërmjet rrjeteve sociale, ka njoftuar se ka punuar rreth projektit më të ri me producentin muzikor Brilanti Hodaj i njohur si Prygo.
“Brenda dhjetë ditësh pritet publikimi i këngëve të Cozmanit dhe Majkut. I kanë përfunduar xhirimet e videoklipeve dhe kah fillimi i majit, pritet publikimi i tyre”, ka deklaruar përmes telefonit për emisionin “Express” të KTV-së, menaxheri i “Babastars”, Dekor Sahiti.
Agon Amiga dhe Onati janë anëtarët e tjerë të labelit “BabaStars”, të cilët janë duke punuar për t’i lansuar në tregun muzikor projektet e tyre.
Pas publikimit të këngëve solo, të gjithë anëtarët e këtij labeli do të mblidhen për ta vazhduar mega-hitin e tyre “High 4”.
Ndonëse asgjë konkrete nuk ka për sa i përket periudhës se kur pritet të lansohet ky projekt, ishte menaxheri Sahiti i cili para pak ditësh dha shenja se kjo këngë serike pritet të finalizohet këtë vit.
I vetmi që duket të mos jetë i angazhuar rreth projekteve muzikore është lideri i grupit “Babastars”, Getoar Selimi.
Sipas mediave në Shqipëri, Gheto Geasy dhe e dashura e tij Marina Vjollca, do ta kurorëzojnë dashurinë e tyre me dasmë këtë verë, por që asgjë deri tani nuk është konfirmuar nga çifti.
Geti dhe Marina, para pak ditësh janë fotografuar duke pirë kafe me prezantuesen Alketa Vejsiu, e cila ka në pronësi një agjenci për organizimin e eventeve të ndryshme.
Tema kryesore e këtij takimi thuhet të ketë qenë organizimi i dasmës së çiftit, i cili është në lidhje më shumë se dy vjet.
Fansat e çiftit janë kureshtarë të shohin nëse dasma e tyre do të jetë dasma e vitit.