Princesha e Uellsit, gruaja e princit William, Kate Middleton, ka vendosur një kurorë që nuk është përdorur për nëntë dekada. Këtë e bëri për ta ndihmuar mbretin Charls në mikpritjen e presidentit të Republikës së Koresë, Yoon Suk Yeo, dhe zonjës së parë, Kim Keon Hee.
Kate u bashkua me burrin e saj Williamin, mbretin Charls, mbretëreshën Camilla, anëtarë të tjerë të familjes mbretërore e rreth 170 të ftuar për ngjarjen me “kravatë të bardhë”, raporton revista “People”.
Për këtë ngjarje princesha kishte vendosur një kurorë që nuk është parë për kohë të gjatë në asnjë kokë të familjes mbretërore. Kurora quhet “Strathmore Rose” dhe është kurora e katërt që princesha e Uellsit mban që nga fillimi saj në familjen mbretërore.
Kryevepra me lule nuk ishte parë në gati nëntë dekada (që nga vitet 1930), por ishte pjesë e koleksionit të Mbretëreshës Nënë. Sipas “The Court Jeweller”, emri i aksesorit vjen nga babai i Mbretëreshës Nënë, i cili ishte Konti i Strathmore dhe Kinghorne, dhe ishte dhuratë martese kur u martua me Princin Albert (mbreti i ardhshëm George VI, babai i Mbretëreshës Elizabeth).
Pas Mbretëreshës Nënë, Princesha Kate është vetëm personi i dytë që ka vendosur në kokë kurorën “Strathmore Rose” në publik.
“Kate gjithmonë ka sinjalizuar se do të donte të imitonte rolin mbretëror të Mbretëreshës Nënë, dhe vendosja e stolive të saj është simbol i rëndësishëm i kësaj vazhdimësie. Është me vend që Kate, ndoshta me ndihmën e mbretit Charls, të zgjidhte të vendoste kurorën pikërisht njëqind vjet pasi mbretëresha Nënë fillimisht e mori. Kurora është një antikë që nuk ishte në modë për shumë dekada, por shumë xhevahire që dikur konsideroheshin të turbullta ose jo të stiluara tani po vlerësohen sërish”, ka thënë për “People” Lauren Kiehna, themeluese e “The Court Jeweller”.