Sandra Bullock e konsideron filmin e saj të fundit, “The Unforgivable”, si një letër dashurie për vajzën e saj Laila, të cilën e ka adoptuar nga sistemi i kujdestarisë në Louisiana në vitin 2015.
Në projektin e realizuar nga Netflixi ku luan krahas aktores tjetër të famshme, Viola Davis, Bullock e portretizon një ish të dënuar e cila pas 20 vjetëve lirohet nga burgu, pas vrasjes së një polici.
Sistemi i burgjeve nuk është aq ndryshe nga sistemi i kujdestarisë, tha aktorja në premierën e filmit e cila u mbajt në Los Angeles.
“Unë pata një përvojë duke mësuar se çfarë është sistemi i kujdestarisë, sepse e dija që vajza ime ishte pjesë e këtij sistemi para se ta adoptoja. Dhe gjërat që i mësova dhe pashë gjatë gjithë këtij procesi, nuk ke si t’i harrosh apo injorosh. Teksa po i ndjeksha orët e mësimit, sepse ti duhet të marrësh mësime dhe duhet të jesh e përzgjedhur, pra nuk ke mundësi vetëm të shkosh dhe ta zgjedhësh një fëmijë. E dini? Janë ata që duhet të të zgjedhin ty. Dhe shumë kohë para se të realizohej ky film, e kuptova se sistemet tona të burgjeve janë të mbushura me miliona e miliona njerëz që nuk u panë kurrë, u neglizhuan, nuk kishin atë kujdestar, atë prind, atë person për t’i ndihmuar ta krijojnë një jetë më të mirë. Dhe kjo gjë më bëri shumë të trishtuar. Prandaj, kur e lexova skenarin e filmit e vura re që sistemi i burgjeve në vendin tonë, është shumë i ngjashëm me atë të kujdestarisë dhe adoptimit”, tha Bullock e cila i ka dy fëmijë të adoptuar, Louis dhe Laila.
Për ta luajtur rolin e një gruaje e cila i ka kaluar 20 vjet në burg, Sandra e kishte intervistuar një të burgosur për të cilën tha se ia ka ndryshuar jetën aktores dhe vajzës së saj të vogël, Laila.
“Kur biseduam me gra të burgosura ose të sapo liruara nga burgu, e takova një grua e cila në një moment kur unë thash diçka për vajzën time Laila, më ndërpreu dhe më tha: ‘O Zot, kështu isha unë. Edhe unë kam qenë pjesë e sistemit të kujdestarisë’. Dhe kur gjyshja e saj ishte në gjendje ta merrte në shtëpi, kishte bërë gjithçka që ajo të ndihej e sigurt. Teksa ajo fliste, çdo gjë që po përshkruante më bënte të mendoja për Lailan, e cila i kishte të njëjtat sjellje në shtëpi. Më pas, ajo më tregoi pse vajza ime vepronte në atë mënyrë dhe si po ndihej ajo, gjë që më ndihmoi vërtetë shumë. Kjo grua të cilën e kisha takuar për të nxjerrë informacione se si ta portretizoja një rol si aktore, më bëri të largohesha nga atje kaq mirënjohëse sepse isha në gjendje të shkoja në shtëpi dhe të bëhesha një prind më i mirë për fëmijët e mi. Unë kam folur dhe do të vazhdoj të flas për këtë, sepse ajo ma bëri një dhuratë që nuk ishte e obliguar të ma jepte. Ajo ishte tashmë e mbyllur në atë vend duke ma dhuruar një pjesë të historisë së saj, por unë përfundova duke fituar shumë më shumë se kaq. Arrita të kthehesha në shtëpi dhe të bëja diçka për Lailan, që nuk kisha mundësi ta bëja atë mëngjes para se të dilja nga shtëpia”.
Tutje, Bullock tha se ka shumë fëmijë të tjera të cilët ende kanë nevojë për një shtëpi dhe po presin, shpresojnë dhe dëshirojnë të bëhen me familje. Ajo gjithashtu iu bëri thirrje njerëzve që të bëjnë më shumë në këtë drejtim, dhe t’iu dalim në ndihmë fëmijëve që e kalojnë jetën nëpër jetimore.
Aktorja ishte aq e pasionuar rreth filmit të ri sa që ishte përfshirë në çdo hap të realizimit të tij, duke shërbyer si producente, ishte përfshirë në procesin e përzgjedhjes së regjisores, ishte kujdesur për dizajnin e skenave dhe trajtimin e maktheve logjistike dhe të sigurisë ndaj COVID-19.
“The Unforgivable” e sjell yllin e kinematografisë në rolin e një ish të burgosure që e ka vështirë të adaptohet në shoqëri. Me regji të Nora Fingscheidtit, filmi vjen i bazuar në miniserinë britanike të vitit 2009 të titulluar, “Unforgiven”.
Bullock e luan rolin protagonist të Ruth Slater e cila pasi e vuan dënimin për krim të dhunshëm, ballafaqohet me paragjykime të shumta teksa mundohet të riintegrohet në shoqëri dhe e nis kërkimin për motrën e saj të vogël, me të cilën i kishte humbur të gjitha kontaktet pasi ishte futur në burg.
Ky është filmi i parë i Sandra Bullockut nga ai i vitit 2018, “Bird Box”, i cili u shndërrua në hit të Netflixit pavarësisht se pranoi vlerësime të përziera nga publiku dhe kritikët.
Krahas yllit të njohur të hollywoodit, në film luajnë edhe aktorët: Viola Davis, Aisling Franciosi, Rob Morgan, Vincent D’Onofrio dhe Jon Bernthal.
“The Unforgivable” tashmë është lansuar nëpër kinema të limituara dhe fillon së transmetuari në Netflix, nga 10 dhjetori.