Rok bendi i njohur amerikan “Pearl Jam”, i njohur për hite të tilla si, “Black” dhe “Even Flow”, ka bërë të ditur të hënën se është duke i shtyrë data e koncerteve të para të turneut të planifikuar “Gigaton Tour”, për shkak të koronavirusit.
Turneu do t’i përfshinte 17 koncerte nëpër Amerikën Veriore, si dhe planifikohej të fillonte më 18 mars.
“Jemi këshilluar që gjëja kryesore që duhet ta shmangim është pjesëmarrja në ngjarje ku ka numër të madh njerëzish, dhe kjo krizë shëndetësore globale tashmë ka filluar të ndikojë në jetët e të gjithëve,” thuhej në një letër të bendit të publikuar në uebfaqen e bendit.
Tutje ata kanë treguar se data e koncerteve të turneut do të ricaktohen, transmeton Koha.
Derisa përhapja e koronavirusit po vazhdon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jeta e përditshme e njerëzve po vazhdon të ndikohet gjithnjë e më shumë. Ngjarje të ndryshme si koncertet, premierat e filmave e festivalet po anulohen ose shtyhen për disa muaj, si dhe universitetet po i këshillojnë studentët të qëndrojnë në shtëpi.
Rok bendi me famë botërore i ka informuar fansat që datat për koncertet e planifikuara në Amerikë dhe Kanada janë shtyrë, por turneu i tyre Evropian ende vazhdon sipas planit, me koncertin e parë të planifikuar të mbahet më 23 qershor në Gjermani.
“Pearl Jam” do ta publikojë albumin e 11-t të incizuar në studio, “Gigaton”, më 27 mars të këtij viti.