Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Bendi “Bon Jovi” e ka anuluar turneun e planifikuar

Bendi i njohur për hite të tilla si “Livin' On A Prayer”, ishte planifikuar ta fillojë turneun e ardhshëm gjatë kësaj vere, por për shkak të pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit, është dashur ta anulojë këtë ngjarje duke iu mundësuar fansave rimbursimin e të hollave për bileta.

Në një deklaratë zyrtare të postuar në Twitter nga anëtarët e bendit, thuhej: “Për shkak të pandemisë globale të koronavirusitm, nuk është më e mundur që bendi ‘Bon Jovi’ ta realizojë turneun këtë verë. Për shkak të kësaj periudhe të vështirë nëpër të cilën po kalon bota, kemi vendosur ta anulojmë turneun në tërësi. Prandaj, të gjithë adhuruesit do të rimbursohen për biletat e blera, në mënyrë që me ato të holla të kenë mundësi t’i paguajnë faturat dhe harxhimet esenciale. Këto janë kohëra të vështira për të gjithë ne. Ju na keni qëndruar gjithmonë pranë, prandaj edhe ne do të jemi gjithmonë afër jush. Mezi presim t’iu takojmë në turne, kur të kemi mundësi të festojmë të sigurt. Gjatë javëve dhe muajve në vazhdim, ne do të vazhdojmë t’i informojmë për planet e bendit për një turne.”

Grupi i njohur i muzikës, “Bon Jovi”, do ta fillonte turneun në Amerikën Veriore në muajin qershor, me një koncert të planifikuar më 10 qershor në Tacoma të Washingtonit.

Muzikantët e hitit “It's My Life” do t’i mbanin nëntë koncerte në Amerikën Veriore, para se të pauzonin shkurt për ta rifilluar turneun në muajin korrik. Turneu ishte planifikuar të përfundojë me dy koncerte të fundit në sheshin “Madison Square Garden” në New York, më 27 dhe 28 korrik.

Ndërkohë për shkak të koronavirusit, rokerët e famshëm botëror së fundmi e kanë shtyrë edhe datën e lansimit të albumit të tyre të ri me titull, “Bon Jovi: 2020”. Vokalisti i grupit, Jon Bon Jovi, e kishte konfirmuar lajmin se albumi nuk do të lansohet sipas planit, më 15 maj, si dhe ende nuk kanë publikuar ndonjë datë të re të publikimit të këtij incizimi.