Filmi i fundit i Christopher Nolanit, “Tenet”, do të fillojë së shfaquri në platformën HBO Max, disa muaj pasi regjisori i famshëm hollywoodian e kritikoi studion filmike “Warner Bros”, për t’i publikuar të gjithë filmat e tyre të planifikuar për vitin 2021, në këtë platformë digjitale në të njëjtën kohë me lansimin e tyre nëpër kinema.
Regjisori kishte punuar shpesh me këtë kompani filmike në të kaluarën, por kishte mbetur i befasuar për të keq me vendimin e tyre të fundit.
Sidoqoftë, gjatë fundjavës HBO Max e konfirmoi lajmin se “Tenet”, që është filmi i tij i fundit me buxhet të lartë i lansuar në ekran të madh në kohë pandemie, do të fillojë së transmetuari në këtë platformë nga 1 maji.
“Ka shumë dilema rreth këtij veprimi, sepse ata nuk e kanë paralajmëruar askënd për këtë vendim. Është një çështje shumë e komplikuar në fakt. Kjo nuk është mënyra e duhur për t’i trajtuar regjisorët dhe yjet e hollywoodit, por edhe njerëzit në përgjithësi të cilët kanë dhënë shumë për realizimin e këtyre projekteve filmike. Të gjithë e meritojnë të jenë të përfshirë në diskutimet rreth asaj se çfarë do të ndodhë me projektet e tyre”, kishte deklaruar Nolan në dhjetor të vitit të kaluar.
Më 3 dhjetor të vitit 2020, studioja “Warner Bros.” e konfirmoi lajmin se po planifikon që 17 filmat e planifikuar për vitin e ardhshëm, ku përfshihen projekte të mëdha kinematografike, si “In The Heights”, “Dune”, “The Suicide Squad” dhe “The Matrix 4”, t’i publikojë në platformën HBO Max në të njëjtën kohë me lansimin e tyre në kinema.
Christopher Nolan, i cili ka bashkëpunuar me këtë studio filmike në realizimin e projekteve mjaft të suksesshme të tij: “Dunkirk”, “Inception”, “Interstellar” dhe trilogjinë “The Dark Knight”, pati deklaruar se largimi i këtyre filmave nga kompania “WarnerMedia” do të ishte e padrejtë ndaj artistëve të përfshirë në projektet e tij. Tutje Nolan e ka sulmuar direkt platformën digjitale HBO Max, duke e cilësuar atë si më të keqen që ekziston në treg.