Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Paramount po punon në dy filma të rinj “Transformers”

Franshiza filmike “Transformers”, e cila filloi në vitin 2007 me filmin “Transformers”, deri më tani i ka realizuar gjashtë filma, i fundit ishte filmi spin-off “Bumblebee”, të cilin e shikuam në vitin 2018. Edhe pse filmi para tij, “Transformers: The Last Knight”, nuk e mahniti fare publikun, e gjithë franshiza është aq fitimprurëse sa që Paramount nuk ka ndërmend të heqë dorë nga projektet e reja.

Me mbi 4 miliardë dollarë të fituara gjatë 13 vjetëve të fundit, Paramount tani planifikon ta vazhdojë tregimin edhe me dy filma të ndryshëm.

Image

Raportohet se Paramount i ka angazhuar dy skenaristë të ndryshëm, të cilët do të punojnë në skenarë për dy filma të ndryshëm, të cilët do të shkojnë në drejtime të ndryshme, shkruan KOHA Ditore. Nuk dihet nëse këto drejtime do të jenë të lidhura me tregimet tashmë ekzistuese apo nëse na pret një botë krejtësisht e re dhe personazhe të reja.

Raportohet se detyrën për shkrimin e skenarëve e kanë marrë James Vanderbilt dhe Joby Harold, por këto informacione nuk janë konfirmuar ende.

Edhe pse nuk është zbuluar se ku mund të fillojnë këta filma të rinj, disa megjithatë supozojnë se njëri prej tyre do të vendoset në botën që e kemi njohur në filmin “Bumblebee”, duke pasur parasysh që filmi kaloi pak më mirë nga pikëpamja kritike tek publiku.

Sido që të jetë, ende nuk i dimë detajet, por e dimë që Michael Bay nuk do të përfshihet në këta filma të rinj, sepse e braktisi franshizën pas “Transformers: The Last Knight”.

Artikuj të ngjashëm