Aktorja Gwyneth Paltrow ka treguar se ndjeu parehati gjatë xhirimeve të skenave intime me aktorin Timothée Chalamet në filmin e ri “Marty Supreme”, ku të dy luajnë në rolet kryesore.
“Është e cuditshme! Është sikur të puthesh me dikë me të cilin nuk je në një marrëdhënie. Nuk ka aspak romancë. Gjithçka është shumë mekanike”, ka thënë 52 vjeçja në emisionin “The Drew Barrymore Show”, ka raportuar FemaleFirst.
Drew e mbështeti duke shtuar: “Është sikur të bësh diçka intime me një koleg”.
Megjithatë, fituesja e çmimit “Oscar” ka vetëm fjalë të mira për kolegun e saj në film.
“Timothée është një djalë i mrekullueshëm, shumë i sjellshëm, shumë i talentuar. Është kënaqësi të punosh me të. Po e shijoj shumë këtë eksperiencë”, ka thënë ajo.
Filmi “Marty Supreme” është roli i parë i madh i Paltrows pas rikthimit të saj si Pepper Potts në filmin “Avengers: Endgame” në vitin 2019.
Artistja ka pranuar se ishte ndjerë nervoze për rikthimin në punë, por se tani ishte momenti i duhur, pasi fëmijët e saj dhe të bashkëshortit Brad Falchuk janë larguar për studime.
“Djali im dhe djali i Bradit shkuan në universitet për herë të parë. Janë të dy studentë të vitit të parë. Vajza ime dhe vajza e tij kanë shkuar para disa vitesh. Tani shtëpia është bosh, dhe kjo sjell një lloj trishtimi... por edhe ndjenjën se ndoshta mund të eksploroj sërish krijimtarinë time”, ka thënë Paltrow.
Gjatë xhirimeve të ‘Marty Supreme’, Paltrow kishte për herë të parë përvojë me një koordinatore të skenave intime, një profesion që është bërë standard në shumë prodhime filmike të reja.
Në një intervistë për Vanity Fair, ajo kujtoi bisedën me koordinatoren.
“Ajo më pyeti se çfarë do të më bënte të ndihesha rehat, dhe unë i thashë: ‘Vajzë, unë vij nga një kohë kur thjesht zhytesh nudo në shtrat dhe kamera është ndezur’”, ka thënë Paltrow.
Aktorja ka shtuar se nuk e di si është për aktorët e rinj sot, por ka thënë se nëse dikush i thotë “tani ai do të vendosësh dorën këtu”, si artiste do të ndihej e kufizuar.