EVIE Magazine- Olivia Dean, është ajo këngëtarja që do ta kërkoni në Google pasi të mbarojë performanca e këngëtares Sabrina Carpenter.
E butë, melodike dhe vetëm 26 vjeçe, Olivia Dean shkruan këngë dashurie me pjekurinë dhe ndjeshmërinë e dikujt dyfish më të rritur. Nëse jeni lodhur nga të njëjtat emra që dominojnë top-listat, ja ku vjen ajri i pastër: Dean është krejt tjetër. Në një kohë kur “vajza e bukur e seksi e popit” këndon për djemtë, seksin e gjëra të tjera... (s’ka asgjë të keqe, por le ta pranojmë që lodh), Dean shkruan për dashurinë dhe mallin. Zëri i saj është i ngrohtë, i qetë dhe emocional, si një shpirt i vjetër që flet me butësi.
Kur dëgjon hyrjen e albumit “The Art of Loving”, është sikur të futesh në një botë tjetër. Nuk të kap dëshira të kërcesh në dhomë si me Carpenterin, apo si me këngët e Taylor Swiftit. Ndjesia e këngëve të Dean është më shumë si ecje e ngadaltë në një ditë të dielë me një kafe të nxehtë, ose si shtrirja në shtrat ndërsa rrezet e diellit hyjnë nga dritarja. Muzika e saj përzien ngrohtësinë e muzikës jazz me butësinë moderne, disa këngë janë të ngadalta dhe intime, të tjerat lozonjare dhe të lehta.
Stilin e veshjes e ka të veçantë po aq sa edhe muzikën
Dean zgjedh me kujdes veshje me frymë vintage, shpesh të frymëzuara nga vitet ’70. Fustanet e saj, nga brendet si “KNWLS”, “Self-Portrait” ose “Valentino”, të kujtojnë thjeshtësinë elegante të asaj periudhe: materiale sateni, dekolte të buta, silueta që përqafojnë trupin pa e zbuluar tepër. Në shumicën e performancave, ajo duket sikur vjen nga një film i viteve ’50.
Në skenë, Dean lëviz me vetëdije për hijeshinë e saj, por pa u munduar ta theksojë me çdo kusht. Nuk është çudi që shpesh e krahasojnë me yllin Sofia Richie Grainge, të dyja mbartin një elegancë të qetë, që bie në sy në një epokë të fiksuar pas spektaklit dhe hiper-seksualizimit. Ndërsa Carpenter apo këngëtarja, Tate McRae, e shndërrojnë koreografinë në provokim, Dean bën të kundërtën: qëndron thuajse në një vend dhe e lë zërin dhe praninë e saj të flasin. Dhe publiku nuk ia heq sytë.
Aktualisht, ajo hap turneun “Short n’ Sweet” të Carpenterit, me koncerte në qytete si Pittsburgh, Nashville dhe New York. Performanca në Madison Square Garden, dhe ky është moment historik për të.
https://www.instagram.com/p/DPEA-5qDWMZ/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=MzRlODBiNWFlZA==
Ajo ka qenë gjithmonë e pranishme
Karriera e Dean ka ndjekur rrugën klasike, pa shkurtesa.
“Kam shkruar muzikë dhe kam publikuar këngë gati tash e dhjetë vjet, dhe kam dashur të merrem me muzikë që kur isha rreth tetë vjeçe. Kështu që, ndjej sikur kam qenë gjithmonë e pranishme”, i ka thënë ajo NPR-së në Morning Edition në shtator.
E lindur dhe rritur në Londër, ajo punoi fort për t’u ngritur. Ndryshe nga bashkëmoshatarët që hynë në industri falë kontakteve të prindërve, Dean nisi të këndonte në ngjarje të zakonshme, të bënte video në YouTube dhe bashkëpunime me miqtë e saj.
Kënga e saj e suksesit, “Reason to Stay” (që e lansoi në vitin 2021), solli performanca intime që tërhoqën vëmendjen e kritikëve dhe kolegëve. Me kalimin e viteve fitoi një bazë besnike fansash. Albumi i saj debutues, “Messy” (që e lansoi në vitin 2023), u vlerësua si “një shembull mjeshtëror i vetëkontrollit dhe sinqeritetit”, duke e vendosur Deanin mes zërave më të veçantë të neo-soul dhe popit britanik.
Megjithëse sukseset mund ta kishin shtyrë drejt popit komercial, Dean zgjodhi introspektivën. Albumi i dytë, “The Art of Loving”, i prodhuar nga Zach Nahome, është i ngrohtë dhe i vërtetë.
“Për një audiencë që e priste me padurim, fituesja e shumë çmimeve BRIT dhe e nominuara për çmimin ‘Mercury’, Olivia Dean, zbulon albumin e saj të dytë, të shumëpritur, “The Art Of Loving”, thuhet në faqen e saj zyrtare
Gjatë prezantimit, ajo ka thënë se nuk mendon që dashuria është vetëm një formë magjie që të ndodh.
“Nuk mendoj se dashuria është diçka magjike që të ndodh. Duhet t'i japësh kohë, është artizanat, është sikur aftësi që ke për të luajtur ndonjë instrument muzikor apo ndonjë aftësi tjetër”, ka thënë ajo.
Kënga kryesore “So Easy (To Fall in Love)” shfaq gëzimin e të gjeturit bukuri në gjërat e vogla. Ndërsa “Loud” është krejt e zhveshur: vetëm zëri i saj, një marrje fryme, një take.
“Duhet boll guxim që t'i këndosh tërë botës se të kanë lënë në baltë, e kjo gjë të ka thyer”, ka thënë ajo për NPR.
Suksesi i Dean po thyen rekorde në heshtje
Këtë verë, ajo u bë gruaja e parë britanike pas këngëtares, Adele, që ka tri këngë njëkohësisht në Top 10 në Britani.
Kënga “Man I Need” arriti në vendin #37 në toiplistën e “Billboard Hot 100”, ndërsa “Nice To Each Other” dhe “Rein Me In” patën po aq sukses.
Vetëbesimi i saj është i shëndetshëm.
“Do të ishe me fat po të shkojë në një takim romantik me mua. Jam shumë e mirë”, ka thënë ajo duke qeshur.
Ndërkohë ajo ka lidhur pozitivitetin me edukimin e saj.
“Nëna e tezja ime janë gra të forta e të pavarura. Si gra ne gjithmonë mendojmë se çka mund të jemi për dikë tjetër... pastaj harrojmë të mendojmë se çka mund të na sjellë ai person. Sepse jemi të mrekullueshme”, ka thënë ajo.
Ajo këndon për gra që janë të forta, të sigurta, por të hapura ndaj dashurisë.
Në një kohë kur interneti është i fiksuar me “fëmijët e të famshmëve”, suksesi i Dean tregon se rruga e gjatë ekziston ende, dhe talenti, këmbëngulja dhe karakteri mund të konkurrojnë me lidhjet familjare.
E ardhmja e Dean
Pranverën e ardhshme, Dean do të nisë turneun e saj më të madh deri tash, me katër netë radhazi, biletat për të cilat janë shitur në “O2 Arena” në Londër. Edhe pse tashmë ka sukses në top-lista, duket se për të më e rëndësishme është rritja si artiste.
“Nëse dikush do të më thoshte se nuk i pëlqen puna ime, thjesht do t'i thoja se ‘është tërësisht në rregull, mua më pëlqen dhe është reale’. Kështu që nuk do të jetë asnjëherë keq për mua”, ka thënë ylli.