Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Olivia Dean “kurorëzohet” mbretëresha e re e pop-it britanik

Olivia Dean

Olivia Dean

Foto: Associated Press

Këngëtarja Olivia Dean u shpall “mbretëresha e re e pop-it britanik”, pasi fitoi katër çmime në ceremoninë “Brit Awards”, këtë vit që për herë të parë në afro 50 vjet histori u mbajt jashtë Londrës, në Manchester.

BBC ka shkruar se 26-vjeçarja nga Londra ka triumfuar në kategorinë e artistit më të mirë britanik, duke lënë pas emra si Lola Young, Dave dhe Sam Fender. Ajo ka fituar gjithashtu çmimin për albumin më të mirë me “The Art of Loving”, si dhe këngën e vitit për bashkëpunimin me Sam Fender, “Rein Me In”. Dean mori edhe çmimin për artisten më të mirë në zhanrin pop.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky album flet për dashurinë dhe për ta dashur njëri-tjetrin në një botë që shpesh duket pa dashuri. Nuk e di nëse kam menduar ndonjëherë se do ta fitoja një ‘Brit’, por ja ku jam!”, ka thënë ajo, duke mbajtur lotët e gëzimit.

Gjatë mbrëmjes, ajo ka interpretuar në mënyrë elegante këngën “Man I Need”. 

Olivia Dean


Në skenë performuan edhe artistë si Harry Styles, Wolf Alice (fitues të çmimit për grupin më të mirë), Raye dhe Alex Warren, i shoqëruar në piano nga James Blunt.

Harry Styles

Ylli, Robbie Williams, e mbylli ceremoninë me një homazh të fuqishëm për këngëtarin e ndjerë Ozzy Osbourne, së bashku me disa nga ish-anëtarët e grupit të tij.

Robbie Williams

Ylli katalanas Rosalía bëri histori duke u bërë artistja e parë që fiton një çmim “Brit” për muzikë të kënduar në një gjuhë të huaj, çmim që zakonisht u jepet artistëve amerikanë.

“Le të vazhdojmë ta festojmë të qenit ndryshe. Le të festojmë muzikë të ndryshme, kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme”, ka thënë ajo në fjalimin e pranimit.

Ajo performoi së bashku me artisten e mirënjohur Björk, këngën e saj të fundit “Berghain”, në një moment që prezantuesi Jack Whitehall e përshkroi si një performancë që “nis si ‘Last Night of the Proms’ dhe përfundon si një festë në klubet e Ibizës”.

Rosalía

Një tjetër moment historik erdhi nga Rosé, e cila u bë artistja e parë K-pop që fiton një çmim “Brit”, duke marrë çmimin për këngën ndërkombëtare të vitit për duetin me këngëtarin Bruno Mars, “APT.”.

Rosé

Suksesi i katërfishtë i Olivia Dean konfirmon pozicionin e saj si një nga yjet më të mëdhenj të rinj britanikë, pas triumfit si artistja e re më e mirë edhe në “Grammy Awards” muajin e kaluar në Los Angeles.

Albumi i saj i dytë, me nuanca jazzi dhe balada për rreziqet e gëzimet e dashurisë, solli hite si “Man I Need”, “Nice to Each Other” dhe “So Easy (To Fall in Love)”, që të gjitha hynë në top 10 vitin e kaluar.

Para ceremonisë, Dean mbajti një koncert bamirësie me qirinj në sallën Albert Hall në Manchester, ndërsa stacioni i trenit Deansgate u riemërtua simbolikisht “Olivia Deansgate” për një javë në nder të saj.

Harry Styles, ka hapur mbrëmjen me performancën e këngës së re “Aperture”, me një stil që u krahasua me David Byrne të Talking Heads.

Në një moment me nota politike, prezantuesi Jack Whitehall ka bërë shaka me kryetarin e Manchesterit, Andy Burnham, duke thënë se “Brit Awards” ishte “e vetmja festë ku lejohet të hyjë këto ditë”, një referencë ndaj zhvillimeve të fundit politike.

Grupi K-pop Huntres, me Ejae, Audrey Nuna dhe Rei Ami, ka elektrizuar skenën me hitin “Golden”. Ndërsa artistja Raye, e cila fitoi gjashtë çmime në vitin 2024, ka performuar një version të ri të “Where Is My Husband!” dhe baladën e re “Nightingale Lane”.

Pas fitores si grupi më i mirë, këngëtarja e Wolf Alice, Ellie Rowsell, ka folur për mbylljen e 30 skenave të pavarura gjatë vitit të fundit.

“Nuk duhet të jetë betejë për të mbijetuar si grup apo si artist. Nuk duhet të varemi nga favore apo nga fitimi i një fondi të vetëm për të arritur nivelin për të cilin ndihemi krenarë”, ka thënë ajo.

Ozzy Osbourne u nderua pas vdekjes me çmimin për arritje jetësore, shtatë muaj pas ndarjes nga jeta në moshën 76-vjeçare. Një video mesazh nga këngëtarja Dolly Parton e përshkroi atë si një artist që “dinte si ta tërhiqte vëmendjen me dashurinë për teatrin dhe dhuntinë muzikore”.

Sharon dhe Ozzy Osbourne

E veja e tij, Sharon Osbourne, ka thënë se ai ishte krenar që ishte “një djalë i klasës punëtore nga Birmingham” dhe “nuk e la askënd ta harronte këtë”.

“Ai ishte egoisti më i përulur që mund të takoje ndonjëherë”, ka shtuar ajo.

Në segmentin “In Memoriam” pati homazhe edhe për Gary “Mani” Mounfield dhe Roberta Flack.

Producenti Mark Ronson, duke marrë çmimin për arritje të jashtëzakonshme, ka kujtuar këngëtaren e ndjerë Amy Winehouse, duke thënë se ajo i ka dhënë shtysë karrierës së tij.

Gjatë një interpretimi me hitet e tij, në skenë u bashkua edhe shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa me “Electricity”, duke e mbyllur performancën mbi pianon e Ronsonit me një gotë Martini në dorë.

Dua Lipa

Ndër fituesit e shpallur para ceremonisë ishin Jacob Alon (ylli në ngritje) dhe Noel Gallagher, i cili u shpall kompozitori i vitit.

“Pa ta, do të isha vetëm një kantautor. Askush nuk e çan kokën për kantautorët”, ka thënë Gallagher me humor, duke falënderuar edhe vëllain e tij Liam për “sjelljen në jetë të atyre këngëve”.

Mbrëmja u mbyll me një mesazh krenarie nga veriu i Anglisë, me Shaun Ryder të The Happy Mondays që deklaroi: “Rroftë veriu!”