Showbiz

“Nusja nga Stambolli” rikthehet në KTV

Seria televizive “Nusja nga Stambolli” fillon transmetimin këtë të hënë, më 2 shtator, vetëm në KTV.

Pas një pauze verore, rikthehet seria e shumëpritur nga shikuesit, me episode të reja të sezonit të tretë dhe të fundit.

Edhe ky sezon do të ketë kastën e aktorëve të njohur për shikuesit e serialit, Ozcan Deniz në rolin e Farukut, Asli Enver në rolin e Syrejasë dhe Ipek Alcin në rolin e zonjës Esma Boran. Shumë zhvillime të reja, ngjarje dramatike dhe situata të panjohura për mbarë familjen Boran shpalosen në këtë sezon.

Episodi i 183-të do të fillojë me një jetë të re për Boranët, të cilët janë të detyruar që të fillojnë nga zeroja, pas falimentimit të biznesit dhe pasi që Ademi mori shtëpinë e tyre dhe gjithçka që kishin. Natyrisht, e futur në një situatë të re e të panjohur për ta e gjithë familja, edhe pse e thyer dhe e lënduar, vazhdon të ballafaqohet me sfidat e jetës. Ballafaqimi me krizën financiare, me të vërtetën që Fikreti është i mashtruar nga vëllai i tij Ademi, ballafaqimi me realitetin e ri të krijuar; përpjekjet e Farukut për ta mbajtur vajzën, gruan e gjithë familjen, përpjekjet e tij që të mbahet i fortë para të gjithëve do të sjellin në ekran një varg momentesh dramatike.

Mirëpo, nuk thonë kot që çdo e keqe e ka edhe anën e saj pozitive. Anëtarët e familjes Boran do të lidhen me njëri-tjetrin si kurrë më parë, si mënyrë e vetme për ta tejkaluar sfidën që solli jeta. Një lajm që e sjell Akifi do të sjellë shpresë për gjithë familjen.

Sezoni i tretë do të sjellë edhe dy personazhe të reja në seri: halla Ylfet që e luan aktorja e njohur turke, Meral Çetinkaya dhe personazhi tjetër i ri Gynesh, luajtur nga aktorja Nihal Yalçin. Halla Ylfet – grua ndërmarrëse, e fuqishme dhe e pavarur, vjen t’i hakmerret Esmasë për shkak të së kaluarës. Gynesh, një grua e re, punëtore dhe e zonja, e dhënë pas punës dhe karrierës, sjell një personazh mjaft karizmatik në serial.

Shumë surpriza, risi, dashuri, mesazhe origjinale, tradhti, hakmarrje e zhvillime të papritura që do të na lënë pa frymë në serinë “Nusja nga Stambolli”.

Kështu do të vazhdojë maratona e peripecive të familjes Boran në ekranin televiziv ekskluzivisht vetëm në KTV në terminin e zakonshëm e hënë - e premte, duke filluar nga ora 21:30.

“Nusja nga Stambolli” është një nga seritë më të shikuara televizive në Ballkan dhe njëherësh edhe është nominuar për çmimin “Emmy” si seria më e mirë në gjuhë të huaj.