Showbiz

“No Sudden Move” filmi i regjisorit Steven Soderbergh i mbushur me aktorë yje

Studioja “Warner Bros.” i ka publikuar trailerin zyrtarë të filmit, “No Sudden Move”, që është projekti i ri i mbushur me aktorë yje i regjisorit të shpërblyer me “Oscar”, Steven Soderbergh.

Pamjet e para të filmit që i takon zhanrit triler kriminalistik vijnë pak para premierës botërore të tij, në kuadër të Festivalit të filmit “Tribeca” i cili fillon më 18 qershor.

“No Sudden Move” duket se do të jetë i mbushur me intriga misterioze dhe ngjarje të rrezikshme, derisa e përfshinë një kastë aktorësh yje të hollywoodit, çka edhe e garanton vëmendjen e publikut në New York.

Projekti i ri filmik i Soderberghut është xhiruar gjatë pandemisë, dhe në rolet kryesore vijnë aktorët: Don Cheadle, Benicio del Toro, David Harbour, Ray Liotta, Jon Hamm, Amy Seimetz, Brendan Fraser, Kieran Culkin, Noah Jupe, Craig Grant, Julia Fox, Frankie Sha dhe Bill Duke.

Me një ngjarje e cila zë vend në Detroitin e vitit 1954, filmi fokusohet në historinë e një grupi të vogël kriminelësh të cilët punësohen për ta vjedhur, siç mendojnë ata, një dokument të thjeshtë. Por, kur plani i tyre shkon për ters, ata fillojnë ta kërkojnë identitetin e personit që i ka angazhuar për ta kryer këtë vjedhje, gjë që qon në situata të rrezikshme. Skenarin e filmit e ka shkruar skenaristi, Ed Solomon.

“Para një viti unë isha karantinuar në Tribeca, prandaj asnjëherë nuk e kisha imagjinuar që do të riktheheshim në lagjen tonë pas 12 muajsh, me një filmi të ri i cili do të shfaqet para publikut të pranishëm në sallë. Po ndihem shumë i lumtur për këtë’, ka deklaruar regjisori Soderbergh në një prononcim për media, pak para premierës së filmit.

“No Sudden Move” do të debutojë në platformën HBO Max më 1 korrik.