Showbiz

Nis gjyqi ndaj P.Diddyt

P.Diddy

P.Diddy

Foto: Associated Press

Anëtarët potencialë të jurisë pyeten nëse i njohin emrat si Michael B. Jordan, Kanye West dhe Kid Cudi

Në një atmosferë të tensionuar dhe të ndjekur nga mediat, të hënën në mëngjes nisi përzgjedhja e jurisë për gjyqin federal ndaj Sean “Diddy” Combs në New York, i akuzuar për trafikim seksual dhe krime të tjera të rënda. 

Përballë gjykatës në Manhattan ishte krijuar një “cirk mediatik”, ndërsa 150 persona, anëtarë potencialë u ftuan të plotësonin një pyetësor mbi njohuritë e tyre për Combs, qëndrimet ndaj policisë, nëse kishin përjetuar ndonjëherë dhunë seksuale, dhe më shumë, ka shkruar Variety.

Personat potencialë për anëtarë të jurisë morën gjithashtu një listë me mbi 190 emra, që përfshinte personalitete publike dhe figura të njohura, dhe u kërkua të shënonin cilët prej tyre njihnin. Ndër emrat e përmendur ishin artistë si Michael B. Jordan, Kanye West, Kid Cudi, Mike Myers, Michelle Williams (nga grupi Destiny’s Child), Lauren London, Dawn Richard, Dallas Austin, si dhe anëtarë të familjes së Combs.

Sipas Variety, Kid Cudi mund të jetë viktimë e një shpërthimi me makinë në vitin 2011, ngjarje për të cilën akuzohet Combs,  pasi reperi kishte qenë në një marrëdhënie me Cassie Ventura, ish-e dashura e Combs dhe dëshmitarja kryesore në këtë proces.

Megjithatë, emrat si Michael B. Jordan thuhet se nuk do të jenë dëshmitarë. Aktori kishte pasur një takim me këngëtaren Cassie në vitin 2015, çka thuhet se e kishte irrituar Combsin, pasi ai ishte në lidhje me këngëtaren.

Gjyqi pritet të zgjasë të paktën tetë javë. Përzgjedhja e jurisë do të vazhdojë deri më 12 maj, kur parashikohet të bëhen argumentet hyrëse.

Disa nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së parë:

  • Përjashtimi i një producenteje fotografish në televizionin HBO, që ka punuar për serialet “The White Lotus” dhe “The Last of Us”, u shqyrtua për shkak të dokumentarit negativ “The Fall of Diddy” që është transmetuar në televizionin Max. Por gjykatësi e refuzoi kërkesën e mbrojtjes për ta përjashtuar.
  • Një tjetër anëtare potenciale e jurisë, e punësuar në “Simon & Schuster”, u largua për shkak të përfshirjes së saj në një libër që do të publikohet në të ardhmen ku përmenden akuza serioze ndaj Combs.
  • Një grua shkaktoi të qeshura kur pranoi se kishte vjedhur një objekt nga “The Wizarding World of Harry Potter” në adoleshencë, dhe gjithashtu kishte pëlqyer një video në Instagram ku bëhej shaka për sasinë e madhe të vajit për foshnje të konfiskuar nga prona e Combs.
  •  
  • Akuzat ndaj Combs përfshijnë:
  •  
  • 1 akuzë për grup të organizuar kriminal
  • 2 akuza për trafikim seksual

2 akuza për transportim për qëllime prostitucioni

Nëse shpallet fajtor, Combs mund të përballet me burgim të përjetshëm.

Që nga viti 2023, ndaj tij janë ngritur mbi 70 padi civile që e akuzojnë për sjellje të ndryshme seksuale të pahijshme, nga përdhunimi deri te trafikimi seksual. Këto raste janë të ndara nga procesi penal aktual, por dëshmitë e këngëtares Cassie Ventura dhe të tjera figura të njohura pritet të luajnë rol të rëndësishëm në gjyq.

Sipas prokurorëve federalë, hetimet kanë përfshirë më shumë se 50 dëshmitarë dhe sekuestrimin e mbi 100 pajisjeve elektronike që sipas tyre e paraqesin Combs si një abuzues serik, i ndihmuar nga roje, asistentë dhe punonjës që për vite me radhë kanë heshtur.

Combs i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka deklaruar se çdo marrëdhënie seksuale ka qenë konsensuale.