Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Nick Reiner deklarohet i pafajshëm për akuzën për vrasjen e prindërve

Nick Reiner

Nick Reiner

Foto: Associated Press

Nick Reiner është deklaruar i pafajshëm për akuzën për vrasjen me paramendim të prindërve të tij, regjisorit 78-vjeçar Rob Reiner dhe fotografes 70-vjeçare Michele Singer Reiner, të cilët u gjetën të vdekur në muajin dhjetor të vitit 2025.

Në paraqitjen e tij të hënën në gjykatë, 32-vjeçari u shfaq me kokë të rruar dhe i veshur me rroba ngjyrë kafe. Ai nuk bëri asnjë deklaratë publike. Kur gjyqtarja Theresa R. McGonigle e pyeti nëse deklarohet i pafajshëm, ashtu siç kishte njoftuar avokatja e tij, ai u përgjigj shkurt: “Po”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Seanca për leximin e aktakuzës ishte shtyrë për disa muaj, pasi avokati i tij i mëparshëm, Alan Jackson, u tërhoq papritur nga rasti. Mbrojtja tashmë i është besuar avokates publike Kimberly Greene, e cila nuk dha komente pas seancës, ka shkruar The Washington Post.

Nick Reiner dhe avokatja Kimberly Greene, fotografi nga agjencia e lajmeve Associated Press

Sipas mediave amerikane, Nick Reiner ka folur më herët në një podcast për betejën e tij me varësinë nga droga dhe për vizitat në zonën Skid Row të Los Angelesit për të siguruar heroinë. Gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, ai kishte qëndruar në të paktën 18 qendra rehabilitimi, të financuara nga prindërit e tij. Ai jetonte në një shtëpi mysafirësh në pronën e familjes në Brentwood, me vlerë 13.5 milionë dollarë.

Sipas raportimeve, para vdekjes së prindërve, ai ishte pajisur me medikamente për skizofreni. Marrëdhënia e tij me varësinë dhe ndikimi në familje u trajtua edhe në filmin e vitit 2015 “Being Charlie”, të bashkëshkruar nga vet Nick dhe me regji të të atit.

Më 14 dhjetor të vitit 2025, Nick Reiner u arrestua pranë kampusit të University of Southern California, disa orë pasi policia gjeti trupat e prindërve të tij. Ai akuzohet për dy vrasje të shkallës së parë dhe po mbahet pa të drejtë lirimi me kusht në qendrën e paraburgimit Twin Towers Correctional Facility.

Avokati i tij i mëparshëm, Alan Jackson, kishte lënë të kuptohej në muajin janar se ekipi mbrojtës mund të ndiqte një strategji të mbrojtjes me argumentin e çrregullimit mendor. Ai deklaroi para gazetarëve se e kishin hetuar çështjen “nga fillimi deri në fund” dhe besonin se, sipas ligjit të Kalifornisë, klienti i tyre nuk është fajtor për vrasje.

Sipas ligjit në Kaliforni, për t'u mbrojttur mbi bazën e çrregullimit mendor të klientit, ekipi ligjor duhet të provojë se i akuzuari, në momentin e krimit, nuk ishte në gjendje të kuptonte natyrën e veprimit të tij dhe të dallonte të drejtën nga e gabuara.

Vëllezërit e tij, Jake, 34 vjeç, dhe Romy, 28 vjeç, nuk kanë marrë pjesë në seancat e fundit gjyqësore. Pas një seance në muajin janar, një zëdhënës i familjes ka deklaruar se ata “kanë besim maksimal në procesin ligjor” dhe se nuk do të komentojnë më tej “çështjet që lidhen me procedurat gjyqësore”.

Seanca e ardhshme, ku do të caktohet data e dëgjimit paraprak, është planifikuar për 29 prill.

Gjyqtarja e pyeti Nick Reinerin nëse ishte në dijeni të së drejtës së tij për një gjykim të shpejtë dhe nëse pranonte të hiqte dorë nga kjo e drejtë për të vazhduar me caktimin e datës së 29 prillit.

Ai u përgjigj shkurt: “Po”.