Emisioni argëtues i Kohavisionit “N’gas’z” vazhdon shikuesve të këtij kanali t’u sjellë intervista të veçanta dhe interesante me personalitete të ndryshme të skenës vendore.
Në edicionin e radhës të këtij emisioni, të premten me fillim prej orës 20:50, do të jetë një këngëtar, i cili së fundmi nuk ka qenë aktiv sa u përket intervistave dhe prezantimeve televizive.
Fjala është për këngëtarin Albatrit Muçiqi, i cili së fundmi është shumë i angazhuar në mbrëmje të ndryshme muzikore.
“Ai vjen në “N’Gas’z” për të folur jo vetëm për muzikën, por edhe për shumëçka tjetër. Këngëtari përveç planeve sa u përket projekteve solo, tregon po ashtu nëse se shpejti do ta shohim me ndonjë bashkëpunim”, ka thënë Adelina Hasani, autore e emisionit të Kohavisionit, që dallohet me format të veçantë për shkak se intervistat i realizon gjatë një shëtitjeje me veturë.
“Gjatë kësaj interviste, Albatriti sigurisht ndalet edhe te jeta personale, gruaja dhe vajza e tij, e cila sipas këngëtarit, është gëzimi më i madh i familjes Muçiqi. Momentet më qesharake gjatë karrierës së tij, e veçanërisht mbrëmjeve muzikore janë të pashmangshme në këtë bisedë. Mënyra se si ai i tregon i bën edhe më të veçanta dhe qesharake”, ka thënë Hasani.
Projekti i fundit i Albatrit Muçiqit ishte ai me titull “Nuk muj me ta fal” i publikuar para më shumë se 4 muajve. Për krejt këto, ai flet në intervistën e realizuar në kuadër të emisionit “N’gas’z”.