Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, dhe bashkëshortja e tij, Michelle, do t’i bashkohen aktorit humoristik Adam Conover në prodhimin e një seriali të ri komedi, të përqendruar në Qeverisë dhe në administratën e presidentit Donald Trump.
Kompania e produksionit të Barack dhe Michelle Obamas - “Higher Ground Productions” - ka siguruar tashmë një marrëveshje me “Netflix”-in për serialin.
Seriali “The G Word with Adam Conover”, i cili do të bazohet në librin e Michael Lewisit, “The Fifth Risk”, që e hulumton kalimin e pushtetit nga administrata e Obamas tek ajo e Trumpit pas zgjedhjeve të vitit 2016, do të përqendrohet në gjithë kaosin që u zhvillua në administratën katërvjeçare të republikanit.
Punimet për realizimin e këtij seriali, sipas revistës “Vanity Fair”, do të fillojnë në fillim të vitit 2021. Mirëpo hollësitë rreth kastës së aktorëve ende nuk janë bërë të ditur.
Obamat dhe kompania e tyre “Higher Ground Productions”, kanë nënshkruar marrëveshje të gjerë me “Netflix”-in që në vitin 2018. Ujdia shumëvjeçare përfshinë seritë e shkruara dhe të pashkruara si dhe doku-seriale, filma dokumentarë dhe rrëfime.
“Shpresojmë që të kultivojmë dhe kurojmë zëra të talentuar, frymëzues dhe kreativë, të cilët janë në gjendje të promovojnë empati dhe mirëkuptim më të madh mes njerëzve, dhe t’i ndihmojmë ata që t’i ndajnë rrëfimet e tyre me të gjithë botën”, ka thënë ish-presidenti amerikan në atë kohë.
Sipas revistës “Elle”, projektet e Obamas do të përfshijnë filmin “American Factory”, serialet “Bloom”, një film të adoptuar sipas romanit “Frederick Douglass: Prophet of Freedom” dhe një serial rreth nekrologjive të “The New York Times”-it, “Overlooked”.