Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, është narratori i dokumentarit të ardhshëm të Netflixit, “Our Great National Parks”.
Projekti vjen i realizuar në pesë pjesë dhe fokusohet tek kafshët e egra në mbarë botën.
Lajmi për lansimin e dokumentarit u bë i ditur në shkurt të këtij viti, megjithëse në njoftim nuk përmendej se ish-presidenti do të shërbente si narrator i tij. Ai po ashtu është pjesë e një programi që Barack dhe Michelle Obama po e prodhojnë për Netflixin, përmes kompanisë së tyre “Higher Ground Productions”.
Portali “Deadline” raporton se dokumentari “Our Great National Parks”, do të përfshijë pamje të xhiruara në parqet në Gjirin e Monterey në Kaliforni, Parkun Kombëtar “Tsavo” në Kenia dhe Parkun Kombëtar “Gunung Leuser” që gjendet në pyjet tropikale të Indonezisë.
Në vitin 2018, çifti Obama nënshkroi marrëveshje disa vjeçare me platformën e famshme Netflix, me synim e vetëm për ta krijuar një përzierje të larmishme përmbajtjesh, duke përfshirë potencialin për seriale me skenar, seriale pa skenar, dokuseriale, dokumentarë dhe filma, të gjitha këto të prodhuara në bashkëpunim me kompaninë e tyre “Higher Ground Productions”.
Përveç projektit të fundit, kjo kompani ia ka sjell platformës gjigante edhe serialet për fëmijë, “Ada Twist, Scientist” dhe “Waffles + Mochi”, dokumentarin e shpërblyer me “Oscar” të titulluar “American Factory”, filmin “Crip Camp: A Disability Revolution” dhe filmin dokumentar të bazuar në kujtimet e Michelle Obamas, “Becoming”.
Dokumentari pesë episodesh, “Our Great National Parks”, debuton në Netflix më 13 prill të këtij viti.