Muzikanti, Michael Bublé, e ka zbuluar lajmin se është në pritje të fëmijës së katërt me bashkëshorten, Luisana Lopilato.
Lajmin e gëzuar, çifti e bëri të ditur në një formë mjaft romantike përmes videoprojektit të ri muzikor të këngëtarit, “I’ll Never Not Love You”. Dhe kush më mirë të vijë në rolin e protagonistes së videoklipit të kësaj kënge sesa bashkëshortja e Bublés, aktorja argjentinase Lopilato.
Në videoklipin e këngës së re i cili është mjaft i veçantë, çifti prej 11 vjetësh i rikrijon skenat e disa prej filmave klasik të hollywoodit, të tillë si “Casablanca”, “Titanic”, “Love Actually”, “Jerry Maguire” dhe të tjerë. Kurse në fund të klipit muzikor, Bublé rikthehet në realitet ku shfaqet përkrah Lopilatos e cila e shfaq në ekran barkun e fryrë, dhe tre fëmijëve të tyre.
Këngëtari i famshëm kanadez po ashtu e konfirmoi lajmin e rritjes së familjes në një intervistë të fundit për emisionin, “On Air With Ryan Seacrest”.
“E vërteta është se jemi shumë të lumtur dhe të emocionuar. Po, unë dhe gruaja ime po ndihemi falënderues që jemi në pritje të fëmijës së katërt”.
Tutje, ai foli për fillimet e lidhjes së tij me bashkëshorten, e cila për publikun kosovar më së miri njihet për rolin protagonist në serialin e transmetuar në Kohavision, “Rebelde Way”, me ç’rast tha se ajo është më e mirë se ai në çdo aspekt. Bublé tregoi se në vitin e parë të lidhjes ata ishin dashur të komunikojnë me ndihmën e “Google Translate”, por pastaj aktorja argjentinase e kishte mësuar anglishten shumë shpejtë dhe lehtë.
Kënga “I’ll Never Not Love You” u lansua më 28 janar dhe është pjesë e albumit të 11-të të këngëtarit, “Higher”, i cili lansohet më 25 mars.
Më 11 shkurt, Bublé e publikoi një tjetër këngë pjesë e këtij projekti, “My Valentine”, që në të kaluarën ishte interpretuar nga ylli britanik i muzikës, Paul McCartney, i cili po ashtu shërben si producent i këngës.
Albumi i ardhshëm gjithashtu e përfshinë një duet me Willie Nelsonin, dy këngë ‘cover’ që janë, “Make You Feel My Love” nga Bob Dylan dhe “Bring It on Home to Me” nga Sam Cooke, si dhe tri këngë origjinale.