Showbiz

“Me Time” është komedia e re e Kevin Hartit

Netflixi i ka publikuar pamjet e para të filmit të tyre të ardhshëm, “Me Time”. Në këtë komedi luajnë aktorët veteranë të industrisë së filmit, Kevin Hart, Regina Hall dhe Mark Wahlberg.

Hart dhe Hall e luajnë rolin e një çifti të martuar derisa ylli i filmave aksion, Wahlberg e portretizon rolin e mikut të ngushtë dhe të çmendur të protagonistit.

I mbushur me skena qesharake, traileri ia prezanton publikut aventurat e jashtëzakonshme të dy shokëve, raporton portali “Vibe”.

Filmi flet për një baba të papunë i cili përkushtohet në rritjen e fëmijëve. Papritur ai e gjen veten pa angazhime familjare për herë të parë në disa vjet, teksa gruaja e tij vendos të largohet për ca kohë me fëmijët e tyre. Kështu, ai vendos të ribashkohet me mikun e ngushtë të fëmijërisë për një fundjavë të çmendur e cila gati i kushton me jetë.

Ky projekt është pjesë e një kontrate të yllit Kevin Hart me Netflixin, e cila u nënshkrua në janar të vitit 2021, për prodhimin e disa filmave dhe dokumentarëve për këtë platformë.

“Me Time” fillon së transmetuari për publikun mbarëbotëror nga 26 gushti.