Showbiz

Hart dhe Wahlberg bëhen bashkë për komedinë “Me Time”

Aktorët, Mark Wahlberg dhe Kevin Hart, e krijuan një raport aq të mirë gjatë xhirimeve të komedisë së tyre të re, “Me Time”, sa që kanë planifikuar që shumë shpejt të punojnë sërish së bashku.

Në premierën e filmit në Los Angeles, Wahlberg tha se ishte impresionuar nga talenti i Hartit, dhe përkushtimi i tij ndaj rolit.

“Çdo ditë e punës me Kevinin ishte një kënaqësi e vërtetë. Ne vazhdojmë të punojmë bashkë, sepse po e promovojmë filmin tonë anembanë botës. Ai është shumë qesharak dhe i guximshëm. Nuk brengoset fare për mendimin e njerëzve. Nuk brengoset nëse po duket ‘cool’ apo diçka tjetër. Thjeshtë nuk frikësohet nga asgjë. Dhe si artist, kjo gjë është shumë çliruese, sepse ta mundëson të jesh plotësisht vetvetja dhe të kesh dëshirë të provosh gjëra të reja. Atij i pëlqen t’i bëjë njerëzit të qeshin dhe humori i tij rrjedh nga një vend i sinqertë dhe pozitiv”.

Kurse, Kevin Hart, deklaroi se kimia e mirë mes tij dhe Wahlbergut është çelësi i suksesit të këtij filmi.

“Ishte një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë. Ti nuk mund të jesh kolegë i mirë dhe nuk mund të reflektosh shoqëri në ekran të madh, nëse nuk gëzon kimi të mirë me aktorin me të cilin je duke punuar. Ne e patëm këtë lloj raporti dhe kimie, si para ashtu edhe prapa kamerave, dhe që të dy dëshironim ta realizonim filmin më të mirë të mundshëm. Prandaj mendoj se e kemi arritur gjithë këtë sukses”.

Filmi “Me Time” e rrëfen historinë e një babai të papunë, Sonny, i cili ka zgjedhur që të kujdeset për fëmijët derisa gruaja e tij e gëzon një karrierë të suksesshme. Më në fund, atij i vjen rasti që ta ketë një javë për vete, dhe kështu vendos të kalojë ca kohë me mikun e tij të vjetër, Huck. Por, ata përfundojnë duke e përjetuar një fundjavë të çmendur, të mbushur me momente qesharake por edhe të rrezikshme për jetën.

Në film, personazhi i Hartit ngacmohet vazhdimisht nga njerëzit për faktin se është prind i cili kujdeset për fëmijët në shtëpi. Aktorja, Regina Hall, e cila e luan rolin e bashkëshortes së tij arkitekte, tha se portretizimi i familje jotradicionale në këtë projekt, është bërë në mënyrë qesharake por edhe respektuese.

“Mendoj se bota është duke ndryshuar. Sot ke shumë më shumë gra që punojnë, dhe burra që kujdesen në mënyrë të jashtëzakonshme për fëmijët dhe familjen. Mendoj se është në rregull për të gjithë ne që ta vlerësojmë dhe respektojmë rolin e secilit në familje, çfarëdo që vendosin të bëjnë me jetën e tyre, pa i bërë të dihen se duhet t’iu përshtaten rregullave të shoqërinë apo klasifikimeve gjinore”, deklaroi Hall.

Në komedinë e cila vjen me skenar dhe regji të John Hamburgut, po ashtu luajnë aktorë, Jimmy O. Yang dhe Luis Gerardo Mendez. Ky projekt është pjesë e një kontrate të yllit Kevin Hart me Netflixin, e cila u nënshkrua në janar të vitit 2021, për prodhimin e disa filmave dhe dokumentarëve për këtë platformë.

“Me Time” u lansua në platformën Netflix më 26 gusht.