Showbiz

Me gjithë marrëveshjen me Amazonin, James Bond vazhdon të shfaqet në kinema

Filmat e ardhshëm të James Bondit do të vazhdojnë së shfaquri në kinema, pavarësisht marrëveshjes së Amazonit për ta blerë studion e filmave, që është bashkëpronare e të drejtave të “007”.

Gjiganti teknologji ka blerë gjatë kësaj jave kompaninë mediale “MGM”, për një shumë prej 8.45 miliardë dollarësh. Producentët e Bondit, Barbara Broccoli dhe Michael G Wilson, kanë theksuar se marrëveshja nuk nënkuptonte se filmi i agjentit të famshëm 007 do të ishte vetëm në shërbim të Amazonit.

“Jemi të përkushtuar për të vazhduar krijimin e filmave të James Bondit për publikun mbarëkombëtar”, kanë thënë ata.

Të drejtat për Bondin i kishin deri më tani kompanitë “MGM” dhe “Eon Productions”, të cilat udhëhiqen nga Broccoli dhe Wilsoni.

Broccoli është vajza e producentit të parë të Bondit, Cubby Broccoli, ndërsa ajo dhe Wilsoni ende e kanë kontrollin kreativ të personazhit.

Sipas marrëveshjes me Amazonin, shpërndarja e “MGM”-së ka kaluar te gjiganti transmetues, por Broccoli dhe Wilsoni gëzojnë kontroll mbi agjentin sekret, në atë që e përcakton se kush e portretizon rolin e agjentit dhe çfarë drejtimi merr filmi.

Dyshja më parë i kishte hedhur poshtë përpjekjet që Bond të shfaqej në formë serish.

Kështu që Amazon nuk do të mund ta përdorë filmin në seriale, në atë mënyrë se si “Star Wars” ka kaluar në “Disney+”.

Sipas marrëveshjes, filmat e ardhshëm të James Bondit do të transmetohen në Amazon Prime – por deklarata e Eonit bën të qartë se do të shfaqen edhe në kinema.

Filmi i ardhshëm “No Time To Die” – që ngërthen paraqitjen e fundit të aktorit Daniel Craig në rolin e agjentit – do të lansohet në kinematë britanike më 30 shtator, kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 8 tetor, pas disa anulimesh shkaku i COVID-19.

“MGM” ka një nga katalogët më të mëdhenj dhe më të llojllojshëm në Hollywood, përfshirë më shumë se 4.000 filma dhe 17.000 seriale.

Ndër filmat që shfaqen në platformë janë: “Rocky”, “Legally Blonde”, “The Pink Panther”, “Tomb Raider”, “Basic Instinct”, “Raging Bull”, “Robocop”, “The Silence of the Lambs” dhe “Thelma & Louise”. Kurse në listën e serialve janë “The Handmaid's Tale”, “Fargo” dhe “Vikings”.