Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Mbërrin fragmenti i parë i biopikut për mbretëreshën e soulit Aretha Franklin

Ka mbërritur fragmenti i parë zyrtar i filmit biografik "Respect" në lidhje me mbretëreshën e soulit, Aretha Franklin, në të cilin mund të shohim se si Jennifer Hudson do ta mishërojë këngëtaren legjendare.

Para vdekjes së saj Franklin e kishte zgjedhur vetë Hudsonin që të jetë personi që do ta luajë personazhin e saj në biografinë filmike. Për kënaqësinë e shumë adhuruesve, Hudson asnjëherë nuk mendoi ta refuzonte ftesën për xhirimin e filmit, shkruan KOHA Ditore. Pas “Oscarit” për rolin e saj në “Dreamgirls” në vitin 2006, shumë njerëz janë duke e pritur edhe një performancë Oskari të Hudsonit.

Image

Prapa filmit për zonjën e fortë qëndron pikërisht një ekip femrash të forta. Filmi është bërë me regji të Liesl Tommy, ndërsa skenarin e ka shkruar Tracey Scott Wilson.

"Respect" do të duhej ta përfshijë pjesën më të madhe të jetës së Aretha Franklin, duke filluar me ditët e saj të rinisë kur kishte kënduar në korin e kishës baptiste në të cilën shërbente i ati i saj, e deri në momentin kur u bë superyll ndërkombëtar muzikor dhe aktiviste për të drejtat civile.

Image

Përveç Hudsonit, në film luajnë edhe Mary J. Blige fantastike, Audra McDonald dhe Tituss Burgess.

"Respect" do të shfaqet në kinema më 14 gusht të vitit të ardhshëm.