Showbiz

Jennifer Hudson shkëlqen si Aretha Franklin në filmin “Respect”

Është lansuar traileri i parë i filmit të ardhshëm biografik për ikonën e muzikës Aretha Franklin, me titull “Respect”.

Në këtë projekt aktorja dhe këngëtarja e njohur amerikane, Jennifer Hudson, vjen në rolin e mbretëreshës së ndjerë të muzikës ‘soul’. Regjinë e filmit e ka bërë Liesl Tommy, ndërsa skenari është shkruar nga, Tracey Scott Wilson.

Ai e shtjellon historinë e fillimit të karrierës muzikore të Aretha Franklinit, e cila si fëmijë këndonte në korin e kishës së babait të saj, e deri tek arritja e majave të suksesit mbarëbotëror, transmeton Koha.

Franklin, e cila vdiq më 2018-n nga kanceri në pankreas, në moshën 76-vjeçare, ishte pjesë e realizimit të filmit deri në momentet e fundit të jetës së saj. Ajo madje e kishte kërkuar angazhimin e Hudsonit për ta portretizuar atë në film.

Gjatë karrierës së saj të gjatë muzikore, Franklin i kishte fituar 18 shpërblime Grammy, si dhe ishte nominuar gjithsej 44 herë për këtë çmim.

Krahas Hudsonit në film luajnë edhe aktorët, Forest Whitaker, Marlon Wayans, Mary J. Blige, Marc Maron, Titus Burgess dhe Tate Donovan.

Jennifer Hudson së fundmi ka luajtur në filmin e ripërpunuar të Tom Hooperit, “Cats”, ku edhe e solli një performancë të paharruar të baladës ikonike “Memory”.

Vitin e kaluar gjithashtu u lansua filmi koncertal, “Amazing Grace”, i cili solli pamje ku Aretha Franklin shihej duke i interpretuar hitet e albumit me të njëjtin emër, gjatë dy koncerteve të mbajtura në kishën “New Temple Missionary Baptist Church” në Los Angeles, në vitin 1972.

Filmi “Respect” do të lansohet nëpër kinematë e Britanisë së Madhe më 22 janar të vitit 2021.