Familja Carter pati arsye për të festuar gjatë fundjavës pasi nëna e reperit të famshëm JAY-Z, Gloria Carter, u kurorëzua me partneren e saj prej vitesh, Roxanne Wiltshire, në një ceremoni e cila zuri vend në lagjen Tribecka të New Yorkut.
Lajmin e ka konfirmuar ueb faqja për të famshëm TMZ, e cila gjithashtu i publikoi disa fotografi nga ngjarja.
Të pranishëm në dasmën e zonjës Carter ishin familjarët dhe miqtë e saj të afërt përfshirë këtu çiftin e fuqishëm të showbizit, JAY-Z dhe Beyoncé, dhe persona të tjerë të famshëm si, Kelly Rowland, Tina Knowles-Lawson, Tyler Perry dhe Robin Roberts.
Në vitin 2017 përmes këngës “Smile”, reperi i njohur amerikan e zbuloi se nëna e tij ia kishte kumtuar lajmin se është lesbike.
“Nëna ime i lindi katër fëmijë, por ajo është lesbike. U desh të shtirej për një kohë të gjatë, ta fshehë veten nga të tjerët dhe për këtë u detyrua të marr ilaçe. Turpi nga shoqëria dhe dhimbja që ia shkaktuan ishte e tepërt për të. Kam qarë nga gëzimi kur ti re në dashuri. Për mua nuk ka rëndësi nëse ai është burrë apo grua. Thjeshtë dua të të shoh duke e tejkaluar gjithë këtë urrejtje me buzëqeshje në fytyrë”, janë disa nga vargjet e këngës “Smile” të reperit 53-vjeçar.
Gjatë një interviste në emisionin e prezantuesit televiziv David Letterman, “My Next Guest Needs No Introduction”, që u transmetua në platformën Netflix, artisti i shpërblyer me “Grammy” tregoi se ai vërtetë kishte qarë nga gëzimi kur nëna e tij i tha se ka rënë në dashuri me një grua.
“Imagjinoje të jesh i detyruar ta jetosh jetën duke mos qenë vetvetja dhe të mendosh se kështu po i mbron fëmijët e tu. Prandaj, kur ajo më tregoi se ka rënë në dashuri, fillova të qajë nga gëzimi sepse isha i lumtur për të dhe për faktin se më në fund ajo ndihej e lirë për ta jetuar jetën siç dëshiron”, deklaroi JAY-Z, emri i vërtetë i së cilit është Shawn Corey Carter, në intervistën e transmetuar në vitin 2018.
Përgatiti: Edona Binaku
{gallery}