Showbiz

A$AP Rocky ka thënë se është “bashëkshorti i dashur i Rihannas”

A$AP Rocky dhe Rihanna

A$AP Rocky dhe Rihanna

Foto: Associated Press

Reperi i njohur, A$AP Rocky, ka konfirmuar për herë të parë se është “bashkëshorti i dashur” i Rihannës, duke konfirmuar spekulimet se çifti ishte martuar në fshehtësi.

Reperi dhe këngëtarja e hitit “Diamonds” janë prindër të tre fëmijëve, RZA, 3 vjeç, Riot, 2 vjeç, dhe Rocki, vetëm 1 muajshe, dhe tashmë duket se dashuria e tyre është kurorëzuar edhe me martesë, ka raportuar E News.

“Të jem baba, partner dhe bashkëshort i dashur në familjen time është ajo që më bën vërtet, vërtet të lumtur”, ka thënë A$AP Rocky në një intervistë të publikuar ditë më parë për Perfect Magazine.

Ai ka shtuar se kjo është ajo që e motivon, që përmes kreativitetit të tij, të jetë njeri familjar dhe artizan.

Kjo nuk është hera e parë që ai flet pë martesën. 

Një muaj më parë, në një intervistë për revistën Elle, 37-vjeçari kishte lënë të kuptohej se mund të ishte martuar tashmë, duke thënë: “Si e di ti që unë s’jam tashmë bashkëshort?” Por menjëherë më pas shtoi: “Ende nuk do ta konfirmoj”.

Përveç se është bashkëshort i përkushtuar, Rocky është edhe baba i dashur për tre fëmijët e tij.

Pas lindjes së vajzës së tyre, fëmijës së tretë, në muajin shtator, ai ka thënë se vajza e tij është gjëja më e çmuar që ka krijuar këtë vit.

“Vajza ime. Ajo është gjëja ime e preferuar që kam krijuar këtë vit. Shout out për Rocki Irish”, ka thënë ai për revistën Complex.

Kurse në një tjetër intervistë për revistën GQ  në muajin shtator, ai ka thënë se fëmijët janë prioriteti i tij.

“S’kam asgjë tjetër përveç dashurisë për këta të vegjlit. Dhe siç mund të shihni, shumicën e zemrës sime e zë familja”, ka thënë reperi.

Dhe duket se zemra e tij ka ende vend për më shumë dashuri, pasi reperi la të kuptohet se familja e tyre mund të zgjerohet edhe më tej.

“Do të bëhemi si familja Wayans, e di ti? Dashuria është e bukur, dhe ne thjesht po e shpërndajmë atë”, ka thënë ai në një intervistë për Entertainment Tonight në muajin qershor.