Showbiz

Marc Anthony për dramën e familjes Beckham: Vështirë se po paraqitet e vërteta

Marc Anthony dhe David Beckham

Marc Anthony dhe David Beckham

Foto: Associated Press

Këngëtari dhe aktori latin, Marc Anthony, ka reaguar për herë të parë ndaj problemeve të familjes Beckham, të cilat u bënë publike muajin e kaluar përmes një postimi të gjatë në Instagram nga Brooklyn Beckham.

Anthony, 57 vjeç, i cili ka performuar në dasmën e Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz në vitin 2022, e quajti situatën “të pafat”, por ka thënë se mënyra se si po paraqitet në publik “vështirë se është e vërteta”.

Brooklyn, 26 vjeç, e kishte përmendur drejtpërdrejt Anthonyn në deklaratën e tij, duke akuzuar prindërit e tij, Victoria dhe David Beckham, si përgjegjës për përçarjen familjare.

Ai kishte pretenduar se nëna e tij i kishte “rrëmbyer” vallëzimin e parë në dasmë, pasi Anthony e kishte thirrur në skenë.

Por këngëtari i hitit “You Sang To Me”, i cili është gjithashtu kumbari i Cruz Beckham, 20 vjeç, këmbëngul se familja Beckham është “e mrekullueshme”.

Kur u pyet nga The Hollywood Reporter nëse kishte diçka për të thënë për faktin se ishte “përfshirë” në këtë situatë, Anthony ka thënë se nuk ka diçka  për të cilën do të donte të komentonte.

“Nuk kam asgjë për të thënë për atë që po ndodh me familjen. Ata janë një familje e mrekullueshme, e mrekullueshme. I njoh që para se fëmijët të lindnin. Jam kumbari i Cruzit. Jam shumë i afërt me familjen. Por nuk kam asgjë për të thënë për atë që ka ndodhur. Është jashtëzakonisht e pafat mënyra se si po zhvillohet kjo, por mënyra se si po paraqitet vështirë se është e vërteta”, ka thënë Anthony.

Këngëtari kishte performuar në dasmën e Brooklyn dhe Nicolas, ndërsa Brooklyn pretendoi se këngëtari e kishte thirrur në skenë për atë që ai mendonte se do të ishte vallëzimi i tij i parë me bashkëshorten. Sipas tij, në skenë e priste nëna e tij, Victoria.

Brooklyn akuzoi se ajo kishte kërcyer “në mënyrë shumë të papërshtatshme” me të, duke e bërë të ndihej i “poshtëruar” përpara 500 të ftuarve.

“Nëna ime ma rrëmbeu vallëzimin e parë me gruan time, i cili ishte planifikuar javë më parë me një këngë romantike. Para 500 të ftuarve të dasmës, Marc Anthony më thirri në skenë, ku sipas programit duhej të ishte vallëzimi im romantik me gruan time, por në vend të saj, atje ishte nëna ime. Ajo kërceu në mënyrë shumë të papërshtatshme me mua para të gjithëve. Nuk jam ndier kurrë më i poshtëruar në jetën time”, pati shkruar ai në deklaratën e tij të gjatë në Instagram.

Ai ka shtuar gjithashtu se çifti kishte menduar t’i bënte sërish betimet martesore për të krijuar kujtime të reja pozitive.

Në pjesë të tjera të deklaratës së tij tronditëse, Brooklyn ka thënë se nuk dëshiron të pajtohet me familjen, për shkak të mënyrës se si ata janë sjellë me bashkëshorten e tij, Nicola Peltz Beckham.

Ai akuzoi gjithashtu prindërit se kishin tentuar të “shkatërronin” marrëdhënien e tij me aktoren 31-vjeçare para se të martoheshin në vitin 2022.