Ylli i muzikës pop, Madonna, e ka lutur Papa Leonin që të shkojë në Gaza, në mënyrë që ai të “dërgojë dritën e tij te fëmijët para se të bëhet shumë vonë”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ikona e popit iu drejtua Papës si “i vetmi nga ne, të cilit nuk i mohohet hyrja” në Gaza, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Ajo ka shtuar se “nuk ka më kohë” pasi që territori në fjalë po vuan nga ajo që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po quan “uri e shkaktuar nga njerëzit”.
Këngëtarja që është rritur si katolike, ka thënë se për këtë kërkesë e ka motivuar ditëlindja e djalit të saj Rocco.
“Ndiej se dhurata më e mirë që mund t'I bëj si nënë, është që të lus të gjithë ata që munden të ju ndihmojnë fëmijëve të pafajshëm që ndodhën në mes të luftimeve në Gaza”, ka shkruar Madonna.

Ajo ka shtuar se nuk është duke drejtuar gishtin, nuk po i vë faj e as nuk po merr anë ndaj askujt, pasi të gjithë janë duke vuajtur.
“Vetëm jam duke u munduar të bëj çfarë mundem që fëmijët të mos vdesin nga uria”, ka shkruar tutje ylli.
Organizata si Unicef e United Nations javën e kaluar kanë shkruar në llogaritë e tyre zyrtare në rrjetin social X (ish-Twitter), se “më shumë se 18 mijë fëmijë janë vrarë në Gaza përgjatë 22 muajve të fundit” dhe se “në Gaza, afërsisht 28 fëmijë në ditë, numër ky që përkon me një klasë mësimore, janë vrarë”.
Presidenti i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka shkruar po ashtu në rrjetin social X dhe ka falënderuar Madonnan për reagimin.
“Faleminderit Madonna për dhembshurinë, solidaritetin dhe përkushtimin për të gjithë që janë ngujuar në krizën që po ndodhë në Gaza, sidomos fëmijët. Kjo nevojitet shumë. Humanizmi dhe paqja duhet të mbizotërojnë”, ka shkruar Ghebreyesus.

Që kur ka marrë detyrën në muajin maj, Papa Leoni, vazhdimisht ka bërë thirrje për armëpushim në Gaza, ka bërë thirrje për kthimin e pengjeve që janë mbajtur dhe ka kritikuar Izraelin për bombardimin e territorit.
“Me shqetësim të madh jam duke ndjekur gjendjen e rëndë humanitare që po ndodh në Gaza, ku popullata civile po vuan nga uria dhe po i ekspozohet dhunës e vdekjes. Gjithnjë bëj thirrje për armëpushim, lirim të pengjeve dhe respektim të së drejtës humanitare”, ka thënë Papa në muajin korrik.
Madonna është një nga figurat publike që ka reaguar rreth situatën e popullit palestinez në Gaza. Ditë më parë, anëtarët e grupit irlandez të muzikës rok, “U2”, kanë lëshuar deklaratë individuale për përkeqësimin e krizës humanitare në Gaza dhe nevojës për të vepruar.
“Ne nuk jemi ekspertë në politikën e rajonit, por duam që audienca jonë të dijë se ku qëndron secili prej nesh”, thuhet në deklaratën e përbashkët të grupit para deklaratave individuale.
“Ati i Shenjtë, Ju lutem, shkoni në Gaza dhe sillni dritën tuaj tek fëmijët, para se të jetë tepër vonë. Si nënë, nuk mund ta përballoj të shoh vuajtjen e tyre. Fëmijët e botës i përkasin të gjithëve. Ju jeni i vetmi prej nesh që nuk mund t’ju mohohet hyrja. Na duhen dyert humanitare të hapura plotësisht për të shpëtuar këta fëmijë të pafajshëm. Nuk ka më kohë. Ju lutem, thoni se do të shkoni. Me dashuri,
Madonna”, thuhet në shkrimin e ikonës.