Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Libri i Princit Harry thyen rekord me shitje

Princi Harry ka thyer një rekord me librin e tij të kujtimeve "Spare", pasi versioni në gjuhën angleze u shit në më shumë se 1.4 milionë kopje në ditën e parë të publikimit.

Shitjet e parakohshme përfshinin të gjitha formatet e librit -- letër, audio dhe elektronike, në SHBA, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar, sipas një deklarate të lëshuar të mërkurën nga botuesi i librit “Penguin Random House”.

"Dita e parë e plotë e shitjeve të ‘Spare’ përfaqëson totalin më të madh të shitjeve të ditës së parë për çdo libër jofiction botuar ndonjëherë nga Penguin Random House, botuesi më i madh tregtar në botë”, ka deklaruar Penguin Random House, raportoi BBC-ja të enjten.

Kujtimet prej 410 faqesh të Harryt dolën zyrtarisht në shitje të martën, me disa dyqane në Londër të hapura në mesnatë në pritje të kërkesës së lartë. Kopjet e versionit spanjoll u publikuan ditë më parë, duke çuar në një vorbull titujsh dhe zbulimesh në mediat globale.

“Random House” tha gjithashtu se shtypja e parë në SHBA e kujtimeve të Harry-t ishte në vëllim prej 2 milionë kopjeve dhe tani libri është "rikthyer për të kërkuar kopje shtesë për të përmbushur kërkesën".

"Spare" ka dalë në shitje në 16 gjuhë në mbarë botën.