Libri i ardhshëm me kujtime i dukës së Sussexit, Harry, besohet se po mbahet nën të njëjtat masa të larta sigurie të përdorura për ta mbrojtur komplotin e librit të fundit, “Harry Potter”.
Burime nga shtëpia botuese deklaruan për portalin “Daily Mail” se autobiografia e Princit Harry, “Spare”, e cila del në treg më 10 janar, ka shkaktuar një operacion të madh logjistik për ta ndaluar rrjedhjen e përmbajtjes së saj, përpara se të publikohet në libraritë anembanë globit dhe të jetë në dispozicionin e lexuesve në formë të librit elektronik.
“Dërgesat në librari janë planifikuar të bëhen në minutën e fundit dhe tashmë janë siguruar disa lokacione të cilat ruhen në fshehtësi të plotë, ku janë vendosur kopjet e librit, përpara shpërndarjes së tij”.
“Daily Mail” gjithashtu raportoi se një burim e kishte krahasuar operacionin e sigurisë së këtij libri, me publikimin e “Harry Potter and the Deathly Hallows” në vitin 2007, kur miliona funte u shpenzuan për ta ndaluar çdo rrjedhje informacioni që do ta prishte fundin e historisë së magjistarit të famshëm, për të gjithë fansat e rinj anembanë botës.
“Spare”, i cili i referohet pseudonimit të Harryt “trashëgimtari rezervë”, do të jetë në raftet e librarive që nga mëngjesi i së martës, me versionin ‘Kindle’ të disponueshëm vetëm pas mesnatës së asaj dite. Po ashtu libri është përkthyer dhe do të shitet në gjithsej 16 gjuhë.
Sipas raportimeve në media, pallatit mbretëror “Buckingham” nuk iu dha një kopje paraprake e dorëshkrimit, dhe burime të brendshme thonë se familja mbretërore mund të qëndrojë e heshtur për përmbajtjen e tij, siç kanë bërë deri më tani pas lansimit të dokumentarit “Harry and Meghan” në Netflix.