Showbiz

Liam Neeson nuk do të luajë më kurrë në filma me superheronj

Aktori 67-vjeçar në të kaluarën ka luajtur në filmin “Batman Begins” në rolin e personazhit të keq, Ra's al Ghul, të cilin më pas e pati përsëritur shkurt edhe në filmin “The Dark Knight Rises”, por tashti aktori thotë se nuk planifikon që në të ardhmen të luajë në ndonjë projekt të bazuar në librat komik “DC Comics” apo “Marvel”, transmeton Koha.net. 

Tutje Neeson ka treguar se nuk është adhurues i madh i këtij zhanri dhe nuk dëshiron ta sforcojë veten të bëhet pjesë e projekteve të këtilla.

Për emisionin “Entertainment Tonight” aktori tha: “Do të tregohem i sinqertë me ju, nuk planifikoj të luaj në filma me superheronj. Nuk jam adhurues i madh i këtij zhanri. Mendoj se ky stil i krijimit të filmit në Hollywood ka në fokus anën teknike të projektit, çka e admiroj, por nuk kam dëshirë t’i nënshtrohem përgatitjeve të rënda që i kërkon personifikimi i një roli të tillë, siç janë ushtrimet e shpeshta fizike."

Ylli i filmave “Taken”, po ashtu e morri shembull rolin e Qui-Gon Jinnit në filmin “Star Wars: The Phantom Menace”, duke thënë se ishte një eksperiencë e lodhshme për të, ani pse është kënaqur duke e luajtur këtë personazh.

Edhe pse nuk ka në plan të luajë në filma me superheronj, Neeson do të vazhdojë të jetë pjesë e filmave aksion, dhe së shpejti vjen me rol në filmin e ri të regjisorit Martin Campbell, “Memory”.