Ylli botëror i muzikës, Dua Lipa dhe rep artistja e famshme amerikane, Megan Thee Stallion, e lansuan bashkëpunimin e tyre të ri në orët e hershme të mëngjesit.
Kënga titullohet “Sweetest Pie” dhe vjen e shoqëruar me videoklip artistik dhe mjaft interesant. Vetëm në katër orët e para të lansimit, ky projekt muzikor i ka marrë më shumë se 260 mijë klikime në platformën YouTube, dhe duket se është mirëpritur nga fansat e dyshes.
Këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, shquhet për bashkëpunimet me disa prej emrave më të njohur të muzikës, të tillë si: Miley Cyrus, Elton John, Calvin Harris, grupi “Blackpink”, Martin Garrix, Sean Paul dhe të tjerë.
Lipa aktualisht është duke e realizuar turneun muzikor “Future Nostalgia Tour”, ku adhuruesit do të kenë mundësi ta dëgjojnë këngën e re të dyshes edhe live, pasi Megan Thee Stallion do t’i bashkohet në koncertet të cilat mbahen në Denver, Tulsa dhe Phoenix më 15, 17 dhe 20 mars.