Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kylie Minogue me koncerte në Las Vegas

Kylie Minogue për herë të parë do ta mbajë një seri koncertesh rezidente në Las Vegas, si performuesja kryesore e klubit të ri “Voltaire”.

Duke filluar nga 3 nëntori, ylli i hitit “Padam Padam” do të performojë këngë nga albumi i saj i ardhshëm, “Tension”, dhe hite të vjetra por shumë të pëlqyera nga publiku si, “Can’t Get You Out Of My Head” dhe “All The Lovers”, në sallën e cila i përmban 1 mijë ulëse.

“Jam e lumtur për këtë. Kur po flas me miqtë dhe familjen time, ata po shprehen jashtëzakonisht të entuziazmuar për këtë shou dhe po e shohin si arsye të mirë për të ardhur në Las Vegas. Mendoj se shumë prej historive nga Vegasi, fillojnë pikërisht me një arsye specifike e më pas përfundojnë në një eksperiencë të paharrueshme. Unë personalisht mezi po pres të kalojë kohë në qytetin e dritave, fillimisht për ta krijuar këtë eksperiencë unike e më pas për të tu kujdesur për argëtimin e publikut në ‘Voltaire’. Prandaj, mendoj se gjithçka do të shkojë mirë dhe sipas planifikimit”, deklaroi këngëtarja.

Me lokacion në hotelin “Venetian Resort”, lokali i natës i udhëhequr nga Michael Gruber, “Voltaire”, po ashtu do të ofrojë program argëtues nga DJ- të ndryshëm, shfaqje kabare, burleske etj.

Biletat për koncertet e pop-yllit australian, Kylie Minogue, do të dalin në shitje nga 9 gushti.