Showbiz

Kthehet "Altered Carbon"

Netflixi, më në fund, e ka publikuar datën e arritjes së sezonit të dytë të serisë së njohur fanta-shkencore “Altered Carbon” dhe ajo është më afër nga sa kishim shpresuar. Të tetë episodet e sezonit të dytë në Netflix do të mbërrijnë më 27 shkurt.

Anthony Mackie e merr rolin e Takashi Kovacs nga Joel Kinnaman, i cili e luajti atë në sezonin e parë, ndërsa Chris Conner kthehet si inteligjenca artificiale e avancuar në formën e personazhit të quajtur Poe.

Përmbledhja zyrtare e sezonit të dytë zbulon: Sezoni i dytë i dramës së sofistikuar dhe të fuqishme fanta-shkencore na sjell Takeshi Kovacs (Mackie), të mbijetuarin e vetëm të një grupi ushtarësh elitarë ndëryjor, i cili e vazhdon misionin e tij për ta kërkuar dashurinë e humbur Quellcrist Falconer (Renée Elise Goldsberry).

Pas dekadave të tëra të bredhjes nëpër planetë dhe kërkimit nëpër galaktikë, Kovacs e gjen veten përsëri në planetin e tij, duke shpresuar që aty do ta gjejë Quellin, shkruan KOHA DItore. I përndjekur nga e kaluara dhe përgjegjës për hetimin e një serie vrasjesh brutale, Kovacs befasohet kur zbulon se misioni i tij për ta zgjidhur krimin dhe kërkimi për Quellin janë, në fakt, e njëjta gjë. Me ndihmën e mikut të tij besnik Poe (Conner), Kovacs duhet të bashkohet me aleatët e rinj për t’i mposhtur armiqtë dhe për ta zbuluar të vërtetën: kush është Quellcrist Falconer?