Showbiz

Kristen Stewart: Është koha që Hollywoodi të tregojë më shumë histori për gratë

Kristen Stewart

Kristen Stewart

Foto: Associated Press

Aktorja Kristen Stewart ka theksuar se dëshiron që studiot filmike në Hollywood të nisin të tregojnë më shumë histori të grave. 

Në moshën 35-vjeçare, ajo ka debutuar si regjisore me filmin biografik “The Chronology of Water”, dhe ka thënë se shpreson që ky projekt të jetë vetëm fillimi i një vale të re në kinematografi.

“E kemi thyer akullin. Shpresoj që tani të fillojë një rrjedhë e madhe, një përmbytje drejt syve tanë”, ka deklaruar Stewart gjatë një paneli në studion e Deadline në Festivalin e Filmit në Cannes.

Aktorja ka cekur se për shumë kohë, publikut i janë servuar vetëm histori të gatshme, të njëjta, pa diversitet të vërtetë.

“Na servonin histori të parapërgatitura, na i hidhnin përpara syve, na mbysnin me to”, u shpreh ajo.

Aktorja ka treguar frustrimin e saj për mënyrën si janë portretizuar gratë në ekran ndër vite.

“Imazhet që konsumojmë, bisedat që nuk lejohen, fakti që nuk mund t’u themi njerëzve kur jemi me cikël menstrual, si të ishte diçka e ndyrë, janë të gjitha dëshmi të kësaj censure ndaj trupit dhe përjetimeve tona”, ka theksuar ajo.

Filmi “The Chronology of Water”  është bazuar në kujtimet e autores Lidia Yuknavitch dhe trajton temat si trauma, transformimi dhe fuqizimi personal. Aktorja Imogen Poots, që luan rolin kryesor në film, ka thënë se menjëherë pranoi të bëhej pjesë e projektit.

“Nuk lexon shpesh skenare si ky. Dhe kur i lexon, zakonisht nuk realizohen kurrë. Ky ishte një dokument i gjallë, që merrte frymë. Ishte një mrekulli që arritëm ta realizonim këtë film. Ishte diçka e jashtëzakonshme”, ka thënë Poots.

Ndërkohë, Stewart ka zbuluar se dëshira për të krijuar filma ka qenë brenda saj që prej fillimeve si aktore.

“Në një nga projektet e mia të para, kam pyetur disa aktorë se cili ishte regjisori më i ri me të cilin mund të punonin. Dhe shumica më ulën për të më pyetur: ‘Pse po na pyet për këtë?’”, ka treguar ajo për The Hollywood Reporter.

Artistja ka shtuar se e ka pritur për vite me radhë projektin e duhur për ta bërë realitet këtë ëndërr.

“Duhej të prisja deri tani që kjo të realizohej, sepse ndonjëherë ka projekte që të çlirojnë. Mund të jenë tekste, këngë, biseda që të ndihmojnë të kuptosh si ta përdorësh zërin tënd. Edhe pse gjithmonë e kam ditur se po prisja atë moment nxitës, nuk e kisha gjetur deri te filmit ‘The Chronology of Water’. Kjo ka filluar tetë vjet më parë”, ka thënë tutje Stewart.

Ylli e përshkroi rrugën drejt debutimit si regjisore si një proces të “ngadaltë dhe të lodhshëm”, por gjithsesi përvojë të vlefshëm.

“Kam dashur të krijoj filma që kur kam filluar të jem aktore, dhe ka qenë zhvillim me shumë shtresa. Por, në një mënyrë gati të çmendur, gjithmonë e kam dashur këtë, sepse besoj se shkëmbimi mes aktorit dhe regjisorit është një urë mes dy pozicioneve shumë të ndryshme”, ka thënë ajo.