Çifti i njohur i showbizit, Kourtney Kardashian dhe Travis Barker, janë kurorëzuar në Las Vegas në praninë e vetëm pesë mysafirëve, raportoi të mërkurën portali “Female”.
Një punëtor në kishëzën e martesave “One Love”, Marty Frierson, ka zbuluar hollësi rreth ceremonisë intime që zuri vend të hënën (4 prill).
“Ata shoqëroheshin nga ekipi i tyre, sigurimi dhe tre persona të cilët e xhiruan ceremoninë me telefonat e tyre mobilë. Pra, në total ishin pesë njerëz të pranishëm në kurorëzim. Ata ishin miqtë e çiftit, të cilët e xhiruan çdo moment, nga dalja e tyre prej veturës, hyrja në kishëz, përfundimi i kurorëzimit dhe hedhja e buqetës së luleve”, deklaroi Frierson për revistën “Us Weekly”.
Çifti i dashuruar besohet se e mori vendimin për t’u kurorëzuar në qytetin e dritave, pak kohë pasi e ndoqi ceremoninë “Grammy”.
Menjëherë pas lajmit të kurorëzimit të tyre në Las Vegas, disa burime deklaruan se martesa nuk është ligjore, pasi nuk është siguruar një licencë martese. Pavarësisht kësaj, dyshja e famshme janë të emocionuar për ta kaluar pjesën e mbetur të jetës së bashku.
Barker dhe Kardashian u fejuan në muajin tetor në Montecito të Kalifornisë. Bateristi i grupit “Blink-182” u tregua mjaft romantik, duke i propozuar në një ambient të ngrohtë në plazh të rrethuar nga buqetat me qindra trëndafila të kuq, me ç’rast i gjunjëzuar i kërkoi të bëhet gruaja e tij dhe ia prezantoi një unazë të mrekullueshme diamanti.
Nga momenti që e bënë publike lidhjen ata kanë qenë të pandashëm dhe shumë të dhënë pas njëri-tjetrit.
Ylli televiziv 42-vjeçar dhe muzikanti 46-vjeçar, menjëherë kanë filluar t’i bëjnë përgatitjet e dasmës dhe besohet se që të dy, duan që dasma të jetë intime, në praninë e familjarëve dhe miqve të tyre më të afërt.
Kourtney i ka fëmijët, Mason, Penelope, dhe Reign, me ish-partnerin Scott Disick. Kurse, Travis është baba i 3 fëmijëve tashmë të rritur, Alabama, Landon dhe Atiana, e cila në fakt është vajza e ish-gruas së muzikantit, Shanna Moakler, nga lidhja e saj me boksierin Oscar De La Hoya.