Showbiz

Kourtney Kardashian dhe Travis Barker janë fejuar

Foto: AP/Associated Press

Ylli televiziv, Kourtney Kardashian, është fejuar me të dashurin e saj muzikant, Travis Barker.

Kardashian për herë të parë në jetën e saj do të ecë drejt altarit dhe këtë do ta bëjë të mundur miku i kamotshëm, tani i fejuari i saj, Travis Barker, i cili të dielën i propozoi martesë.

Bateristi i grupit “Blink-182” u tregua mjaft romantik duke i propozuar në një ambient të ngrohtë në plazh, të rrethuar nga buqetat me qindra trëndafila të kuq me ç’rast i gjunjëzuar i kërkoi të bëhet gruaja e tij dhe ia prezantoi një unazë të mrekullueshme diamanti. Sigurisht përgjigja e Kourtneyt ishte “Po”.

Menjëherë pas këtij momenti magjik për ta, çifti vendosi ta festojë fejesën me organizimin e një darke intime me familjarët e tyre, e cila u dokumentua nga postimet e shkurtra nëpër rrjete sociale.

 

 

Lajmi i fejesës së Kourtneyt dhe Travisit mund të jetë befasues për disa, marrë parasysh faktin se çifti ka vetëm disa muaj që është në lidhje dashurie, ani pse me vjet të tëra ishin miq të mirë. Por, dashuria e tyre u zhvillua dhe forcua shpejtë dhe atë në syrin e publikut.

Nga momenti që e bënë publike lidhjen ata kanë qenë të pandashëm dhe shumë të dhënë pas njëri-tjetrit. Shumë shpejt dyshja e njohur e showbizit krijoi raporte të afërta edhe me familjarët dhe fëmijët e tyre.

42-vjeçarja Kardashian është nënë e 3 fëmijëve të cilët i ka nga lidhja me Scott Disick, kurse 45-vjeçari Barker i ka 2 fëmijë tashmë të rritur me ish-bashkëshorten, Shanna Moakler.

Kourtney në të kaluarën ka qenë në lidhje me modelin më të ri në moshë, Younes Bendjima, derisa Travisi e pati një romancë të shkurtër me këngëtaren me prejardhje kosovare, Rita Ora.