Jennifer Aniston dhe Adam Sandler i kanë bashkuar forcat në komedinë e re të titulluar "Murder Mystery", e cila ka filluar të shfaqet në Netflix dhe tashmë po i thyen të gjitha rekordet e shikueshmërisë.
"Murder Mystery" është një film klasik detektivësh në të cilin polici njujorkez Nick Spitz të cilin e luan Sandler dhe gruaja e tij, Audrey, të cilën e luan Aniston më në fund arrijnë të shkojnë në udhëtimin evropian të planifikuar gjatë.
Audrey e takon një njeri të pasur i cili e fton atë dhe bashkëshortin e saj në një mbledhje familjare në jahtin e tij. Megjithatë, gjërat do ta marrin tatëpjetën kur të ndodhë një vrasje, ndërsa Audrey dhe Nick do të bëhen të dyshuarit kryesor për vrasjen, shkruan KOHA Ditore.
Filmi e ka pasur premierën më 14 qershor, ndërsa Netflixi ka njoftuar se rreth 31 milionë shfrytëzues e kanë shikuar filmin në tri ditët e para, gjë që e bën filmin "Murder Mystery" premierën më të shikuar ndonjëherë në këtë shërbim amerikan. Deri më tani këtë rekord e mbante filmi "Bird Box", i cili e pati premierën dhjetorin e kaluar.
“Murder Mystery” në tre ditët e para të shfaqjes është shikuar nga më shumë se 13 milionë përdorues të Netflixit në Amerikë dhe Kanada dhe 17 milionë përdorues të tjerë në mbarë botën. Nëse vazhdojnë me këtë ritëm, Aniston dhe Sandler mund të jenë meritor edhe për filmin më të shikuar të të gjitha kohërave të Netflixit.

"Murder Mystery" u bë me regji të Kyle Newacheck, sipas skenarit të James Vanderbilt. Përveç dyshes së shkëlqyeshme të aktorëve, në film luajnë edhe Luke Evans, Terence Stamp, Gemma Arterton, Dany Boon, John Kani dhe shumë të tjerë.