Ylli televiziv, Kim Kardashian West, ka ofruar ta paguaj faturën e spitalit të një protestuese e cila e ka humbur një copëz të ballit të saj, pasi është qëlluar me plumb gome në njërën prej protestave të fundit në Amerikë.
Ylli i shout “Keeping Up with the Kardashians” e shprehu dëshirën për t’i dalë në ndihmë gruas në fjalë, pasi e ishte parë duke qarkulluar në rrjetet sociale një fotografi, që i shfaqte lëndimet e saja mjaft serioze. Ajo i kishte pësuar lëndimet në fytyrë teksa po protestonte për drejtësi, pas vdekjes mizore të George Floydit në duart e katër policëve në Minnesota, transmeton Koha.
Kështu, bukuroshja 38-vjeçare Kim Kardashian e ka postuar një mesazh në ‘Insta Story’, ku shkruhej: “Kjo është një situatë zemërthyese dhe shqetësuese. A ka dikush që mundet të më vë në kontakt me këtë grua? Do të doja ta ndihmoja me shpenzimet mjekësore, nëse ka nevojë diçka të tillë.”
Kim e cila është e martuar me reperin Kanye West, me të cilin i ka katër fëmijë, North, Saint, Chicago dhe Psalm, është ndër të famshmet e para që ka reaguar ndaj ngjarjes tragjike që rezultoi me vdekjen e afrikano-amerikanit, George Floyd, si dhe ka premtuar se do të vazhdojë ta shfrytëzojë zërin dhe platformën e saj, për t’iu dhënë zë dhe fuqi të gjithë personave të prekur nga racizmi sistematik në Amerikë.