Showbiz

Kid Cudi i lumtur me dokumentarin e tij “A Man Named Scott”

Foto: AP/Associated Press

Reperi i njohur, Kid Cudi, e ka ndarë me fansat trailerin e parë të dokumentarit të shumëpritur që bazohet në jetën e tij, “A Man Named Scott”.

Filmi i cili vjen me regji të Robert Alexanderit, e ekranizon rrugëtimin e muzikantit përgjatë një dekade të vendimeve kreative, sfidave dhe sukseseve të arritura përmes muzikës, e cila vazhdon t’i prekë dhe fuqizojë miliona fansa të tij anembanë botës.

“Duke krijuar diçka të re dhe duke ndihmuar njerëzit, ka qenë gjithmonë një arratisje për mua. Dhe është një ndjenjë çliruese. Gjithçka që unë bëj duhet t’i ndihmojë njerëzit në një farë mënyre. Si mund të bëj diçka që i inspiron apo ndihmon personat e lënduar dhe të humbur në jetë? Prandaj, më duhej të ndjeja diçka të veçantë me anë të muzikës sime. Dëshiroja t’iu ofrojë fansave të mi, diçka që nuk e kanë dëgjuar më parë”, dëgjohet duke thënë reperi në trailerin e dokumentarit të tij.

Projekti të cilin publiku mezi po pret të lansohet, përfshinë pamje nga prapaskenat, studio incizuese, performancat live të reperit dhe intervista të reja të cilat nuk janë publikuar më parë. Ai po ashtu konsiderohet mjaft personal pasi fokusohet edhe në disa prej momenteve më të errëta të Kid Cudit, emri i vërtetë i së cilit është Scott Ramon Seguro Mescudi.

“Njerëzit më shikojnë si inspirim, por unë nuk jam një person i lumtur. Kjo është ajo që më shtyu të ikja nga realiteti. Ky ka qenë gjithmonë misioni im dhe nuk kam mbaruar Akoma”, dëgjohet duke thënë ai në një pjesë të dokumentarit.

Në muajin qershor, Kid Cudi përmes një postimi online, foli hapur për shëndetin e tij mendor.

“Zoti ka bërë gati ditë më të mira për mua. Thjeshtë e di këtë gjë. Pikëllimi më pushton të tërin nganjëherë”, kishte deklaruar reperi.

Dokumentari i ardhshëm me titull “A Man Named Scott”, do ta shënojë premierën në platformën “Amazon Prime” të premten e ardhshme, më 5 nëntor.