Kur ishte vetëm 18-vjeçar, regjisori Nico Ballesteros, nisi të filmonte momente private të Kanye Westit, sot i njohur si Ye, pa e ditur se çfarë e priste. Gjatë gjashtë vjetëve pasuese, ai incizoi mijëra orë material që shfaqin përkeqësimin e dukshëm të gjendjes mendore të Westit, divorcin me Kim Kardashian, humbjen e kontratave të mëdha të sponsorizimit dhe deklarata shqetësuese, ka raportuar Deadline.
Dokumentari “In Whose Name?” i bërë nga “AMSI Entertainment”, që tregon botën e brendshme të Ye-së, do të publikohet më 19 shtator, në rreth 1,000 kinema në partneritet me “AMC”, “Regal” dhe “Cinemark”.
“Që pesë muaj jam pa ilaçe”, dëgjohet të thotë Ëest në tailer, ndërsa ish-gruaja e tij, ylli televiziv, Kim Kardashian, e tronditur dhe me zë të thyer i përgjigjet duke i thënë se “personaliteti yt nuk ishte kështu para disa vitesh!”.
Pamjet bëhen gjithnjë e më dramatike.
“Do të preferoja të isha i vdekur… Ose më shkatërrojnë ata, ose i shkatërroj unë… Jam pothuajse si një mazokist… Shkruaj çfarë të dua, kur të dua! Janë fjalë!”, thotë West.
Sipas përshkrimit zyrtar të dokumentarit, gjithçka ka nisur si vëzhgim i heshtur dhe pastaj u shndërrua në një udhëtim të thellë artistik dhe personal.
“I zhytur në botën e Ye-së, Ballesteros ishte dëshmitar i gjeniut dhe rënieve, fitoreve dhe trazirave, por edhe i paranojës dhe intensitetit që gjithnjë e më shumë e formuan realitetin e tij”, thuhet në përshkrim.
Traileri i dokumentarit “In Whose Name?”:
Ky projekt filmik e shfaq Westin duke folur hapur për jetën me çrregullim bipolar, duke ofruar një vështrim të rrallë mbi ndikimin e sëmundjes mendore te identiteti, perceptimi dhe pushteti. Ai ngre pyetje mbi mënyrën se si trajtohet, ose lihet pa u trajtuar, shëndeti mendor nën peshën e famës dhe ekspozimit publik.
“Për një djalë të turpshëm, kamera u bë një mburojë dhe një dritare, një mënyrë për ta lidhur introspektivitetin tim me botën. Ye gjithmonë ka pasur dikë që e filmon, një lente mes tij dhe zhurmës. Ndoshta kjo është arsyeja pse e kuptonim njëri-tjetrin pa shumë fjalë. Unë thjesht zhdukesha në sfond, gjithmonë aty, duke kapur momentet jashtë skenës”, ka thënë Ballesteros, i cili është rritur në Orange Country të Kalifornisë.
Producentja Simran A. Singh ka shtuar se ky projekt filmik paraqet një portret të papërpunuar dhe shpesh shqetësues, pa koment apo përfundim, duke ia lënë shikuesit interpretimin.
“Nico jetonte pranë Ye-së, me kamerë në dorë, pa e ditur saktësisht çfarë po kapte apo ku do të çonte kjo, dhe pikërisht kjo e bën pamjen kaq të fuqishme”, ka thënë ajo.
Singh ka theksuar se nuk pati agjendë, nuk pati filtra, vetëm momente të vërteta.
“Për këtë arsye, ka një nivel sinqeriteti që rrallë e sheh nëpër dokumentarë. Nico ishte i vetmi që mund ta tregonte këtë histori, jo vetëm se kishte qasje, por edhe perspektivën e duhur. Ai ishte brenda kaosit, por gjithsesi arrinte të distancohej për ta shndërruar në film”, ka thënë ajo.
Sipas ekipit, titulli “In Whose Name?” lidhet me idenë e idhullit, si në krijimin e imazhit publik të Ye, ashtu edhe në kërkimin e idhujve të tij, nga markat luksoze dhe fama, te feja dhe familja.
Njëkohësisht, është edhe një reflektim personal e shpirtëror i regjisorit.
“A është bërë ky film në emër të Ye, të tijin, apo diçkaje më të madhe?”, ka thënë regjisori.
Ky është debutimi i Ballesteros si regjistor, i cili gjithashtu ka prodhuar, filmuar dhe montuar veprën.
Në ekip marrin pjesë edhe Jack M. Russell dhe Justin Staple si montazhierë, Nick Jarjour si producent ekzekutiv, si dhe Shy Ranje e Jack M. Russell si bashkëproducentë.
“AMSI Entertainment”, kompania e Simran A. Singh, njihet për krijimin e historive me ndikim kulturor dhe apel global, me projekte të suksesshme si “Selena y Los Dinos” (në platformën Netflix), “Reggaeton: The Sound that Conquered the World” (në platformën Peacock), dhe “Selena: The Series” (në platformën Netflix).