Showbiz

Kevin Costner paditet nga një dubluese për skenë të paautorizuar përdhunimi në filmin “Horizon”

Kevin Costner

Kevin Costner

Foto: Associated Press

Aktori dhe regjisori i njohur, Kevin Costner, është paditur nga një dubluese për një skenë të paautorizuar dhe të dhunshme përdhunimi gjatë xhirimeve të filmit “Horizon: An American Saga – Chapter 2”.

Devyn LaBella, e cila ishte dubluese për aktoren Ella Hunt, pretendon se u detyrua të merrte pjesë në një skenë që nuk ishte në skenar dhe pa praninë e një koordinatori për intimitet, siç kërkohet në raste të tilla, ka raportuar “The Guardian”.

Sipas padisë së ngritur në Kaliforni, ngjarja ndodhi më 2 maj 2023, një ditë pasi Hunt kishte xhiruar një skenë të planifikuar përdhunimi me një aktor tjetër. Por kur Kevin Costner improvizoi një skenë të re, Hunt refuzoi të merrte pjesë dhe la xhirimet. Në vend të saj, pa dijeni për refuzimin e Huntit, në skenë u thirr LaBella.

Sipas padisë, ajo nuk u njoftua paraprakisht për natyrën e skenës dhe nuk kishte dhënë pëlqimin për të. “Costner më tha të shtrihesha në një karrocë dhe më pas udhëzoi aktorin tjetër që të më hipte sipër, të më mbante dhe të më rrëmbente fustanin në mënyrë të dhunshme”, thuhet në dokumentin e padisë.

LaBella pretendon se ky veprim shkelte kontratën e saj, rregullat e së cilës janë në përputhje me standardet e unionit të aktorëve SAG-AFTRA. Ky union kërkon që aktorët të njoftohen 48 orë paraprakisht për çdo skenë me përmbajtje nudo apo akte seksuale të simuluara dhe të japin pëlqimin e qartë. Ajo gjithashtu pohon se koordinatori i intimitetit nuk ishte i pranishëm, ndonëse kontrata e aktorëve e kërkon këtë gjë.

Gjithashtu, në padi thuhet se seti nuk ishte i mbyllur, siç parashikohet për skena të ndjeshme – përkundrazi, “skena u transmetua në monitorë të hapur dhe mund të shihej nga kushdo që kalonte pranë”.

E disa ditë më herët, gjatë xhirimit të skenës së parë të përdhunimit, gjithçka ishte bërë në mënyrë të planifikuar, me prova dhe praninë e koordinuesit të intimitetit.

LaBella kërkon kompensim për ngacmim seksual, mjedis të armiqësuar pune dhe shkelje kontrate, duke thënë se ngjarja i shkaktoi “tronditje, turp dhe ndjesi poshtërimi”, dhe se ka nisur terapi psikologjike që në muajin qershor të vitit 2023.

“U ndjeva e ekspozuar, e pambrojtur dhe e tradhtuar nga një sistem që më kishte premtuar siguri dhe profesionalizëm. Ajo që ndodhi ma rrënoi besimin dhe ndryshoi përgjithmonë mënyrën si e shoh këtë industri”, ka deklaruar ajo.

Costner i ka mohuar të gjitha akuzat, përmes avokatit të tij Marty Singer.

“Kevin gjithmonë kujdeset që të gjithë të ndihen të sigurt dhe rehat gjatë punës në filmat e tij. Ai i merr shumë seriozisht çështjet e sigurisë në set”, ka deklaruar ylli përmes avokatit të tij për “Variety” dhe “Deadline”.

Avokati ka shtuar se pretendimet e LaBella “janë të pabaza dhe bien ndesh me sjelljet dhe mesazhet e saj të mëvonshme”.

Ai publikoi një mesazh që LaBella ia kishte dërguar koordinatorit të skenave pas përfundimit të xhirimeve.

“Faleminderit për këto javë të mrekullueshme! E vlerësoj shumë ndihmën tënde! Mësova shumë dhe jam shumë e lumtur që gjithçka doli mirë në fund. Kalofsh mirë dhe flasim së shpejti!”, thuhej në mesazhin e LaBellas, për të cilin pretendon avokati.

Në anën tjetër, padia e LaBellas sqaron se ajo ka folur me kolegët për përvojën e saj të keqe, por ndjeu se duhej të vazhdonte punën me një qëndrim profesional, për shkak se xhirimet ishin ende në zhvillim.

Costner ka investuar personalisht 38 milionë dollarë në dy filmat e parë “Horizon”, nga një buxhet i përgjithshëm prej 100 milionë dollarësh. Pjesa e parë doli në kinema në qershor 2024, por dështoi në arka filmike duke grumbulluar vetëm 38.7 milionë dollarë globalisht. Pjesa e dytë u shfaq për herë të parë në Festivalin e Filmit në Venecia në muajin shtator të vitit 2024, por ende nuk ka datë të caktuar për publikun e gjerë.