Showbiz

“Kërkimfalja” e Snoop Doggut për komentet mbi filmin “Lightyear” rezulton e rreme

Snoop Dogg

Snoop Dogg

Foto: Associated Press

Pas reagimeve që ngjalli me komentet e tij kundër paraqitjes së një çifti të së njëjtës gjini në filmin e animuar “Lightyear”, në rrjetet sociale qarkulloi një postim i ashtuquajtur “kërkimfalje” nga Snoop Dogg. Por sipas mediave amerikane, ky postim ishte i rremë.

Një kontroll i profileve zyrtare të reperit 53-vjeçar nuk tregon asnjë reagim apo kërkimfalje.

Burime të afërta me të kanë konfirmuar për “Deadline” se Dogg nuk ka shkruar dhe as nuk ka dërguar një koment të tillë.

“Është i rremë”, ka thënë një burim i afërt me artistin.

Komentet që qarkulluan online dukeshin sikur vinin nga llogaria e verifikuar e tij në Instagram, ku supozohej se ai kishte kërkuar falje për fjalët e tij.

“Thjesht u gjenda i papërgatitur dhe nuk pata përgjigje për nipërit e mi. Të gjithë miqtë e mi homoseksualë e dinë si qëndron puna, më kanë thirrur me dashuri. Gabimi im që nuk dija si t’i përgjigjesha një 6-vjeçari. Më mësoni si të mësoj. Nuk jam i përsosur”, thuhej në postim.

Ndërkohë, skenaristja Lauren Gunderson, e cila mori pjesë në versionet e hershme të skenarit, mbrojti vendimin për ta përfshirë këtë element në film.

“Në vitin 2018 isha skenariste në Pixar, një vend i jashtëzakonshëm. Ndërsa shkruanim versionet e para të ‘Lightyear’, një personazh kishte nevojë për partner dhe ishte aq natyrale të shkruhej ‘ajo’ në vend të ‘ai’. Edhe pse detaj i vogël, e dija çfarë ndikimi përfaqësues mund të kishte. Një rresht i vogël, por një gjë e madhe. U gëzova që e mbajtën”, ka shkruar ajo në një postim në Instagram.

Ajo ka shuar se ndihet pafundësisht krenare për këtë.

“Jam krenare për këtë. Deri në pafundësi. Dashuria është dashuri. Kisha shumë pak ndikim në skenarin final, por isha krenare që një çift ‘queer’ i lumtur u shfaq në ekran, qoftë edhe për disa sekonda. E di që morën shumë kritika për këtë përfshirje, por gjëra të tilla kanë rëndësi, sepse dashuri të bukura si kjo ekzistojnë”, pati shkruar tutje ajo.

Dogg, gjatë paraqitjes së tij më 20 gusht në podcastin “It’s Giving”, ka kritikuar skenën e filmit. Ai tregoi se nipi i tij e pyeti se si një grua mund të ketë fëmijë me një grua tjetër.

“Nuk shkova për këtë punë, thjesht shkova të shoh filmin. Po më fusin në gjëra për të cilat nuk kam përgjigje. Më hutoi. Këto janë filma për fëmijë. Në këtë moshë a duhet ta tregojmë këtë? Se ata do të bëjnë pyetje. Unë nuk kam përgjigje”, pati thënë Snoop.

Filmi “Lightyear”, i cili është rikrijim i filmit të vjetër të Disneyt në bashkëpunim me Pixar, “Toy Story”, me zërin e aktorit, Chris Evans si astronauti i famshëm, përmban një skenë ku personazhi Alisha puth bashkëshorten e saj, Kiko. 

Pikërisht kjo skenë bëri që filmi të ndalohej në disa shtete të Lindjes së Mesme, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Egjiptin, Kuvajtin, Omanin dhe Katarin.

Lexo edhe:

Snoop Dogg krition paraqitjen e personazheve LGBTQ+ në filmat për fëmijë - KOHA.net