Performanca e këngës “I’m Just Ken” nga aktori i mirënjohur Ryan Gosling, në teatrin “Dolby”, ku u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar, ngjalli edhe një herë publikun dhe adhuruesit duke bërë bujë të madhe e duke mbuluar më shumë tituj të mediave botërore se sa fituesi i vërtetë i çmimit Oscar, filmi i shumëpërfolur “Oppenheimer”.
Goslingu krijoi performancë të jashtëzakonshme duke bërë prova paraprake për një javë rresht bashkë me valltarët. Por në skenë ai bëri disa lëvizje spontane fillimisht duke u ulur mbrapa “barbiet” (aktores Margot Robbie) duke bërë të ditur si “Keni” është gjithmonë i dyti, shkruan “New York Times”.

Përveç koreografisë që kishte përgatitur, numrat që bëri duke u inspiruar nga performanca e aktores së mirënjohur, të ndjerës, Marilyn Monroe, “Diamonds Are a Girl’s Best Friend” nga filmi “Gentelmen Prefer Blondes”, nxitën edhe më shumë pëlqimin e publikut, duke bërë që Gosling të jetë prezent pothuajse në çdo llogari të rrjeteve sociale, duke u bërë viral.
Aktori këndoi live duke shfaqur personalitetin e “Kenit” në mënyrë komike ashtu siç ka bërë edhe në film.
Shumë kritikë, njohës të fushës e fansa u mahnitën nga “rehatia” që ai kishte në skenë duke sjellë në mënyrë shumë origjinale të gjithë performancën.
U ngritën pyetje të shumta nga adhuruesit për gruan me të cilën u shoqërua Gosling në Oscar. Ajo ishte motra e tij Mandy Gosling, e cila e shoqëron aktorin nëpër shumë ngjarje. Kjo për shkak se Gosling dhe gruaja e tij aktorja Eva Mendes, e mbajnë lidhjen larg syrit publik ani pse kanë 13 vjet martesë.
Pavarësisht që nuk ishte e pranishme, Eva po e mbështeste burrin e saj nga shtëpia.
“Gjithmonë përkrah burrit tim”, ka shkruar ajo në Instagram, pasi postoi një fotografi duke provuar kostumin e Goslingut në gardërobë.

Gjatë performancës, Goslingu puthi qaforen e tij me shkronjën “E” (për Evën), të cilën e ka në formë të fontit të mirënjohur të “Barbiet”.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi