Showbiz

Katy Perry rrezikon të bie nga flutura gjigante gjatë koncertit, reagon me profesionalizëm

Katy Perry

Katy Perry

Foto: Associated Press

Këngëtarja e njohur Katy Perry përjetoi një moment të frikshëm gjatë koncertit të saj në San Francisko, kur një rekuizitë gjigante në formë fluture, mbi të cilën ajo po performonte, pësoi një defekt teknik dhe rrezikoi ta rrëzonte atë mbi publik, ka raportuar CNN.

Incidenti ndodhi të premten mbrëma në arenën Chase Center, ku Perry po këndonte këngën e saj të vitit 2013, “Roar”, si pjesë e turneut të saj “Lifetimes Tour”. Në videot e postuara nga fansat në rrjetet sociale, shihet momenti kur flutura, e lidhur me kabllo dhe e varur mbi turmë, lëkundet dhe bie për një çast, duke e detyruar këngëtaren të ndalë këndimin.

Perry, e lidhur me pajisje sigurie, arriti ta ruajë ekuilibrin dhe qetësinë, duke parë lart nga mekanizmi që e mbante të varur. Pas pak sekondash, ndërsa rekuizita vazhdon të lëkundet, ajo rifillon performancën si profesioniste, mes duartrokitjeve të publikut.

CNN ka raportuar se ka kontaktuar përfaqësuesit e Katy Perry për një koment zyrtar, por deri tani nuk ka pasur përgjigje.

Ky nuk është incidenti i vetëm i ngjashëm këtë verë në skenat muzikore. Më herët, gjatë një koncerti të Beyoncé në Houston, një veturë fluturuese që përdorej si rekuizitë në turneun “Cowboy Carter” u prish dhe u rrotullua në ajër. Fatmirësisht, Beyoncé nuk u lëndua.

“Këngëtarja u ul menjëherë dhe nuk pati lëndime”, konfirmoi atëherë kompania e saj e menaxhimit dhe argëtimit.

Në të dy rastet, reagimi i menjëhershëm i artisteve dhe ekipeve të tyre ka shmangur pasoja më të rënda, duke treguar përkushtimin ndaj sigurisë dhe profesionalizmit në performancë.